Presidenti Donald Trump pritet të shpallë të enjten në mëngjes një marrëveshje tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë.
Kjo do të ishte marrëveshja e parë ndërkombëtare tregtare e administratës Trump që prej njoftimit të vendosjes së tarifave të gjera mbi partnerët tregtarë të SHBA-së muajin e kaluar.
Detajet e marrëveshjes nuk janë bërë ende publike por Trump, të mërkurën, dha sinjale për një “konferencë madhore” në Zyrën Ovale të enjten në orën 10:00 të mëngjesit, ku do të shpallte një “marrëveshje të madhe tregtare” me një “vend të madh dhe shumë të respektuar.”
“Konferencë e MADHE nesër në mëngjes, ora 10:00, në Zyrën Ovale, për një MARRËVESHJE TË MADHE TREGTARE me përfaqësues të një VENDE TË MADHE DHE SHUMË TË RESPEKTUAR,” shkroi Trump në rrjetin Truth Social.
“E PARA NGA SHUMË TË TJERA!!!” shtoi ai.

Kryeministri britanik Keir Starmer ka qenë i angazhuar kohët e fundit në diskutime me liderët evropianë për çështjen e Ukrainës, ndërsa është në pritje të një marrëveshjeje të re me SHBA-në që do të ulte tensionet tregtare mes dy vendeve.
Tarifat e ashtuquajtura “Dita e Çlirimit” të Trump të shpallura më 2 prill parashikojnë një tarifë bazë prej 10% për shumicën e vendeve partnere tregtare, duke nisur nga data 5 prill, e ndjekur nga tarifa më të larta reciproke që fillimisht do të hynin në fuqi më 9 prill. Megjithatë, presidenti shpalli një pezullim 90-ditor të tarifave më të larta, duke deklaruar se dhjetëra vende kishin kërkuar shtyrje për të rinegociuar marrëveshjet e tyre tregtare me SHBA-në.

Britania është mes vendeve të prekura nga tarifa 10%, por nuk u përfshi në aplikimin e tarifave reciproke më të ashpra. Përveç kësaj, vendi është gjithashtu subjekt i një tarife 25% për çelikun, aluminin dhe automjetet e importuara, që është vendosur nga administrata Trump.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi muajin e kaluar se administrata Trump ka planifikuar bisedime me rreth 70 qeveri të huaja për të shmangur tarifat. Përveç Britanisë, në listën e vendeve të përfshira në raundin e parë të negociatave janë Japonia, Australia, India, Koreja e Jugut, Izraeli dhe Vietnami.
Sipas The New York Times, administrata amerikane është gjithashtu pranë finalizimit të marrëveshjeve tregtare me Indinë dhe Izraelin.
Ndërkohë, këtë javë Trump ka minimizuar urgjencën për arritjen e marrëveshjeve të reja tregtare, duke thënë se “nuk është e nevojshme të nënshkruajmë marrëveshje tani.” Gjatë një takimi në Zyrën Ovale me kryeministrin kanadez Mark Carney, Trump u shpreh: “Të gjithë pyesin ‘Kur do të firmosni marrëveshjet?’ Ne nuk kemi pse të firmosim asgjë. Mund të firmosim 25 marrëveshje tani, Howard, nëse duam. Ata kanë nevojë të firmosin me ne.”

Bessent, në një intervistë për emisionin “Ingraham Angle” në Fox News, e përshkroi këtë qëndrim të presidentit si “pasiguri strategjike”, një qasje që, sipas tij, është e nevojshme për të siguruar marrëveshjen më të mirë të mundshme për SHBA-në.
Sekretari i Thesarit pritet të marrë pjesë këtë fundjavë në bisedimet tregtare me Kinën në Zvicër — takimet e para mes dy vendeve që prej rizgjedhjes së Trump. SHBA-ja ka vendosur tarifa prej 145% ndaj Kinës, për shkak të avantazhit të saj tregtar, rolit në krizën e fentanilit në Amerikë dhe tarifave hakmarrëse që Pekini ka vendosur ndaj eksporteve amerikane.
Mbetet për t’u parë nëse marrëveshja e pritshme me Britaninë do të shërbejë si model për marrëveshjet e tjera që administrata Trump synon të arrijë gjatë këtij mandati.
