Si qyteti më jugor i Argjentinës, Ushuaia prej kohësh ka mbajtur me krenari reputacionin e “Fundit të Botës”, duke shërbyer si porta kryesore për ekspeditat drejt Antarktidës dhe për turistët që duan të zbulojnë bukuritë e egra e mahnitëse të Patagonisë.
Por ditët e fundit, qyteti është përballur me një famë krejt tjetër — një famë që ka hedhur hije mbi bizneset lokale dhe autoritetet — pas dyshimeve se mund të jetë pika nga ku nisi shpërthimi i hantavirusit në anijen holandeze MV Hondius.
Anija turistike ndodhet aktualisht e ankoruar në Tenerife, në Ishujt Kanarie të Spanjës, ku pasagjerët po evakuohen dhe po rikthehen në vendet e tyre. Udhëtimi kishte nisur më 1 prill, më shumë se 10 mijë kilometra larg, pikërisht nga Ushuaia në provincën Tierra del Fuego.
Në bord ndodheshin 114 pasagjerë dhe 61 anëtarë ekuipazhi nga 22 vende të botës. Edhe pse besohet se virusi mund të ketë hipur në anije aty, origjina e saktë dhe identiteti i personave të infektuar mbeten ende të paqarta. Kjo pasiguri ka ndezur spekulime të shumta në media.
Një nga teoritë sugjeron se një pasagjer mund të jetë infektuar në një zonë grumbullimi mbetjesh në periferi të Ushuaias, ku turistët shkojnë shpesh për të vëzhguar zogjtë dhe ku mbeturinat tërheqin minj e brejtës. Disa zyrtarë argjentinas, që kanë folur në kushte anonimiteti për media të ndryshme, kanë thënë se kjo mbetet hipoteza më e mundshme.
Megjithatë, kjo ide nuk është pritur aspak mirë nga autoritetet lokale.
“Në Tierra del Fuego nuk kemi asnjë rast të regjistruar të hantavirusit në historinë tonë,” deklaroi Juan Facundo Petrina, Drejtori i Përgjithshëm i Epidemiologjisë dhe Shëndetit Mjedisor në provincë.
“Madje, që prej vitit 1996 — kur sëmundja u përfshi në Sistemin Kombëtar të Mbikëqyrjes si sëmundje me raportim të detyrueshëm — nuk kemi pasur asnjë rast të vetëm në Tierra del Fuego.”
Petrina, i cili mori detyrën në vitin 2021 gjatë pandemisë së koronavirusit, e ka përsëritur këtë argument në çdo konferencë për shtyp dhe intervistë të ditëve të fundit.
Ai ka theksuar se provinca e tij është një burim shumë i pamundur i infeksionit dhe se zona ku hantavirusi është endemik ndodhet më shumë se 1,500 kilometra në veri.
“Para së gjithash, ne nuk kemi nënllojin e miut me bisht të gjatë, që është bartësi i sëmundjes, dhe gjithashtu nuk kemi të njëjtat kushte klimatike si Patagonia veriore — as për lagështinë dhe as për temperaturat — që mundësojnë zhvillimin e virusit,” tha ai.
“Dhe edhe nëse brejtësit do të fillonin të lëviznin, ata nuk njohin kufij gjeografikë, por duhet kujtuar se ne jemi një ishull.
Ata do të përballeshin me pengesën e kalimit të Ngushticës së Magelanit për të infektuar speciet lokale, çka e bën këtë skenar edhe më të vështirë, përtej faktorëve klimatikë.”
Ndërsa shumë ekspertë bien dakord me Juan Facundo Petrina se infektimi ka pak gjasa të ketë ndodhur në Tierra del Fuego, qeveria kombëtare e Argjentinës ka njoftuar se do të dërgojë një ekip specialistësh në rajon për të verifikuar nëse ekzistojnë gjurmë të hantavirusit apo nëse miu me bisht të gjatë ka mbërritur tashmë në këtë zonë.
Ekipi pritet të bashkëpunojë me biologët lokalë për të kapur brejtës në zonën e landfillit dhe për t’i testuar për praninë e virusit. Megjithatë, dy ditë pas njoftimit zyrtar, ekspertët ende nuk kishin mbërritur.
Kur BBC vizitoi vendin, mbi grumbujt e mbeturinave fluturonin dhjetëra zogj, ndërsa nuk kishte asnjë shenjë të një hetimi aktiv në terren.
Eduardo López, epidemiolog dhe drejtues i Departamentit të Mjekësisë dhe Sëmundjeve Infektive në Spitalin e Fëmijëve “Ricardo Gutiérrez” në Buenos Aires, tha se nevojiten hetime më të thelluara në provincë.
“Ky rast kërkon më shumë studim, sepse ekosistemet po ndryshojnë,” u shpreh ai.
“Për shembull, miu i vogël me bisht të gjatë, habitat natyror i të cilit ishte dikur zona e Andeve Patagoniane dhe veriperëndimi i Argjentinës, tashmë mund të gjendet edhe në provincën e Buenos Airesit, së bashku me brejtës të tjerë që transmetojnë sëmundjen.”
