Një zbulim krejtësisht i pazakontë ka tronditur doganierët në aeroportin e Këln-Bon në Gjermani të hënën, kur ata sekuestruan rreth 1.500 tarantula (lloj merimange) të reja, të fshehura në kuti plastike brenda ambalazheve të tortave me çokollatë.

Sipas “The Guardian”, pakot kishin mbërritur nga Vietnami dhe u kontrolluan nga autoritetet për shkak të një ere të rëndë, që nuk kishte aspak lidhje me aromën e ëmbëlsirave.

“Zbulimi la të shtangur edhe punonjësit më me përvojë. Është vërtet e trishtë që disa njerëz i trajtojnë kafshët në këtë mënyrë vetëm për përfitim financiar,” deklaroi një punonjës dogane.

Pavarësisht kushteve të vështira të transportit, shumë nga tarantulat arritën të mbijetojnë dhe janë dorëzuar në duart e specialistëve për t’u kujdesur siç duhet për to. Ndërkohë, autoritetet gjermane kanë nisur procedura penale ndaj personit që figuronte si marrës i pakos.