Qeveria e Koresë së Veriut po përdor gjithnjë e më shumë dënimin me vdekje, madje edhe për qytetarët që kapen duke parë ose shpërndarë filma dhe seriale televizive të huaja, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara.
Raporti i Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut zbulon se regjimi i Kim Jong-un ka zgjeruar kontrollin mbi çdo aspekt të jetës së qytetarëve gjatë dekadës së fundit, duke përdorur teknologjinë për mbikëqyrje më të ashpër dhe dënime drastike.
Sipas raportit, prej vitit 2015 janë miratuar të paktën gjashtë ligje të reja që lejojnë dënimin me vdekje për “krime” të tilla si shikimi dhe shpërndarja e përmbajtjeve të huaja. Ekzekutimet kryhen shpesh publikisht nga detashmente ushtarake, me qëllim mbjelljen e frikës dhe pengimin e këtij lloji të “krimit”.
Dezertues nga Koreja e Veriut tregojnë se që nga viti 2020 ka pasur një rritje të ndjeshme të ekzekutimeve për posedim dhe shpërndarje të materialeve të Koresë së Jugut. Një dëshmi e fuqishme është historia e Kang Gyuri, e cila u arratis në vitin 2023 dhe rrëfen se tre shoqet e saj u ekzekutuan për këtë shkak, ndërsa një miku i saj 23-vjeçar u dënuar me vdekje në një gjyq ku u trajtuan si kriminelë edhe personat që kapen me përmbajtje të tilla, ashtu si dhe trafikantët e drogës.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, paralajmëroi se nëse ky trend vazhdon, popullsia koreano-veriore do të përjetojë dhimbje dhe shtypje edhe më të theksuara në të ardhmen.