GND vendos t’ia kalojë gjithë pushtetin popullit të Kosovës. ICO mbyllet në shtator


Kosova arrin pavarësinë e plotë. Grupi Ndërkombëtar Drejtues, në takimin e mbajtur në Vjenë, ka vendosur që t’i japë fund fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Në këtë grup bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën si dhe Turqia. Nga Kosova, në takim ka marrë pjesë Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.


Nikoqiri i takimit, ministri i Jashtëm i Austrisë, Mihael Shpindeleger, ka thënë se kjo paraqet një ditë historike për Kosovën. “Nga dita e sotme, Kosovës po i hiqet mbikëqyrja ndërkombëtare, kurse mandati i ICO-së (Zyrës Civile Ndërkombëtare) pushon në shtator”, ka thënë ministri austriak. Ai ka shprehur kënaqësinë e tij se Vjena është vendi ku u hartua dhe u aprovua Plani i Ahtisarit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe po në këtë qytet, tash po vendoset fundi i mbikëqyrjes së kësaj pavarësie. “Ne e dimë se Kosova do të ballafaqohet me shumë sfida dhe do të duhet të kryejë shumë detyra të shtëpisë, por e dimë po ashtu se ka bërë një punë të mrekullueshme këto vitet e fundit”, tha ministri austriak, duke shpresuar se Kosova një ditë do të jetë pjesë e strukturave të integruara të Europës.


Shefi i ICO-së, Piter Feith ka deklaruar se Kosova ka bërë shumë përparime këto vitet e fundit. Ndërsa ka lavdëruar përpjekjet për hapjen e Zyrës Administrative në veri, Feith ka inkurajuar institucionet e Kosovës që në ditët në vijim t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme ligjore-kushtetuese në mënyrë që të bëhet kalimi i kompetencave dhe përgjegjësive nga zyra e tij tek autoritetet vendase. Nga Plani i Ahtisarit, sfidat e papërmbushura kanë mbetur në veri të Kosovës. Feith, me këtë rast, ka përmendur tri parime mbi të cilat do të gjendet zgjidhja politike për atë pjesë. “Zgjidhja politike për veriun do të bazohet në tri parime: Nuk ka dhunë, nuk ka ndarje, pra veriu do të mbetet i Kosovës dhe parimi i tretë se veriu nuk do të mbetet konflikt i ngrirë”, ka thënë Feith.


Nga ana tjetër, Kryeministri Hashim Thaçi tha se kjo paraqet një ditë historike për Kosovën. “Unë jam i vetëdijshëm se ne duhet të forcojmë sundimin e ligjit dhe të rrisim mirëbesimin e qytetarëve tanë. Ne duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit ekonomik. Për më tepër, unë dua të ritheksoj zotimin tonë për ta rritur përfshirjen tonë në raport me të gjitha komunitetet në Kosovë, e në mënyrë të veçantë me serbët që jetojnë në veri të vendit, të cilët e meritojnë t’i gëzojnë të gjitha të drejtat që janë të përcaktuara me Planin e Ahtisarit dhe me ligjet e Kushtetutën e Kosovës”, është shprehur Thaçi.


Edhe pas vendimit për t’i dhënë fund mbikëqyrjes ndërkombëtare, Bashkimi Europian do ta vazhdojë praninë e vet në Kosovë, përmes misionit për polici dhe sundim të ligjit – EULEX, përderisa do të vazhdojë edhe prania e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, që udhëhiqet nga NATO-ja. Kryeministri Hashim Thaçi është zotuar se institucionet e Kosovës do t’i sigurojnë EULEX-it bazën adekuate ligjore për vazhdimin e mandatit. “Ne jemi të zotuar që të gjejmë bazën adekuate ligjore për të mundësuar vazhdimin e mandatit të misionit të EULEX-it, duke përfshirë edhe kompetencat ekzekutive të tij deri në qershor të vitit 2014”.


Mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë ishte një vendim i përbashkët i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të Bashkimit Europian që e njohën shtetin e Kosovës dhe Turqisë, për të parë nga afër zbatimin e obligimeve që kishte marrë Kosova me Pakon e Ahtisarit për respektimin e komuniteteve pakicë, sidomos komunitetit serb. Njëherësh, kjo fazë, ishte menduar se do ta ndihmonte Kosovën në rrumbullakimin e procesit të njohjeve ndërkombëtare dhe afirmimit të shtetit më të ri europian.


Pas vendimit të djeshëm, institucioneve të Kosovës u mbetet që të bëjnë ndryshimet e nevojshme ligjore e kushtetuese për marrjen e përgjegjësive nga Zyra Civile Ndërkombëtare para mesit të shtatorit të këtij viti.


 


Veriu


Piter Feith – “Zgjidhja politike për veriun do të bazohet në tri parime: Nuk ka dhunë, nuk ka ndarje, pra veriu do të mbetet i Kosovës dhe parimi i tretë se veriu nuk do të mbetet konflikt i ngrirë”


 


Reagimet


Jahjaga: Horizont i ri për vendin


Vendimi i Grupit Ndërkombëtar Drejtues për të përmbyllur mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës, është përshëndetur nga drejtues të shtetit të Kosovës, subjekteve politike, por edhe nga ndërkombëtarë. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në deklaratën e saj ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e marrjes së këtij vendimi nga shtetet që kanë ndihmuar rrugëtimin e Kosovës. “Vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për ta përfunduar mbikëqyrjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke ia kthyer popullit të këtij vendi atë që i takon dhe për të cilën ka sakrifikuar, hap një horizont të ri për Republikën e Kosovës, për pozitën e saj në arenën ndërkombëtare dhe për zhvillimin e përgjithshëm të vendit tonë”, thuhet në deklaratën e Presidentes Jahjaga. Edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në deklaratën e tij dërguar mediave ka përshëndetur vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar. “Ky vendim i Grupit Drejtues Ndërkombëtar është shenjë se shteti i Kosovës po ndërton identitetin e vet kushtetues dhe ligjvënës, po ndërton marrëdhënie shumë të mira me shtetet e rajonit dhe më gjerë me ato në Europë dhe botë, duke sendërtuar njëkohësisht edhe obligimet e marra nga Pakoja e Presidentit Ahtisaari”, shkruan Krasniqi. Kreu i legjislativit ka shtuar se “shteti i Kosovës është këmbëngulës që të bëjë edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese për t’i marrë përsipër përgjegjësitë, të cilat që nga shpallja e pavarësisë e këndej i ka ushtruar Zyra Civile Ndërkombëtare”.