Dha vendime të kundërligjshme dhe mori para për drejtësinë
Për lëshim të vendimit të kundërligjshëm gjyqësor, shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit, pastrim të parave dhe mashtrim, Kolë Puka u dënua të premten me gjithsej 10 vjet burg. Më herët këtë vit, ai ishte dënuar edhe me 5 vjet të tjera. Kolegji i Gjykatësve tha se ai kishte prekur besimin që qytetarët kanë në zyrën e gjykatës.
Kolegji i gjykatësve të Qarkut në Prishtinë, në përbërje të Dean Pinales kryetar, Viktor Pardal dhe Nexhmedin Sejdiu anëtarë, të premten shpalli aktgjykimin në rastin e ish-gjykatësit Kolë Puka dhe avokatëve Zef Marleku e Lon Palushaj.
Pas 25 seancave të mbajtura dhe pas dëgjimit të 60 dëshmitarëve si dhe leximit të të gjitha provave materiale, gjykata shpalli fajtor dhe e dënoi ish-gjykatësin Kolë Puka për lëshim të vendimit të kundërligjshëm gjyqësor, shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit, pastrim të parave dhe mashtrim – me gjithsej 10 vjet burg.
Ish-gjykatësin, gjykata e liroi për veprën penale të krimit të organizuar, evazionit fiskal, falsifikimit të dokumenteve dhe për rastet e veçanta të falsifikimit të dokumenteve, si dhe për një vepër tjetër të pastrimit të parave.
Për veprën penale të lëshimit të vendimit të kundërligjshëm gjyqësor, Puka u dënua me 2 vjet burg. Për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit me 4, për pastrim parash me 3 vjet burg dhe për veprën penale të mashtrimit me 4 vjet të tjera burg. Në total ish-gjykatësi Puka u dënua me 13 vite burg, por gjykata atij i shqiptoi një dënim unik prej 10 vitesh burg.
Më herët këtë vit, Kolë Puka ishte dënuar nga Gjykata e Qarkut në Pejë me një dënim unik prej 5 vitesh burg, e po në këtë gjykatë, Pukës iu konfirmua aktakuza tjetër për shpërdorimin e më shumë se 74 mijë eurove.
Të pandehurit Zef Marleku dhe Lon Palushaj, nga gjykata u shpallën të pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës, kështu që u liruan.
Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetari kolegjit tha se “gjykata është marrë me 24 raste të veçanta dhe të ndërlikuara të cilat janë analizuar me kujdes në një shqyrtim po ashtu të ndërlikuar”.
“Gjatë 25 seancave të mbajtura kemi dëgjuar 60 dëshmitarë dhe kemi parë qindra dokumente”, vazhdoi kryetari Dean Pineles.
Kolegji në arsyetim kishte shqyrtuar teorinë e prokurorisë, e cila ishte se Kolë Puka ka bashkëpunuar në mënyrë kriminale me Zef Marlekun e Lon Palushajn. Por sipas gjykatës, “pas shqyrtimit të provave është parë se Kolë Puka ka futur në rrjetën e tij të merimangës edhe Zef Marlekun e Lon Palushajn, por ata ishim më shumë viktima të krimit të tij”.