Prishtinë
Kryeparlamentari akuzon Thaçin që përgatit kongresin pa rival
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili i përket partisë në pushtet të Kryeministrit Thaçi, PDK-së, akuzoi qeverinë e Kosovës për zhytje në korrupsion. Gjatë debatit në Kuvend ku është shqyrtuar strategjia kundër korrupsionit, Krasniqi tha se kjo dukuri më së shumti është prezente në shëndetësi e në arsim. “Korrupsioni është i shtrirë në të gjitha institucionet. Ai nuk është i shtirë veç në mënyrë vertikale, por edhe horizontale. Ne kemi ligjet, Kushtetutën, kodet penale, por nëse këto institucione nuk kanë vullnet për luftë ndaj korrupsionit, prandaj as strategjia nuk duhet gjë”, pohoi Krasniqi. Kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se strategjia antikorrupsion ka më tepër një rol mediatik, sesa një dokument që e lufton korrupsionin. Ndërkaq, kryetari aktual i PDK-së, Hashim Thaçi, njëherazi edhe Kryeministër, pritet të jetë i vetëm në garën për të marrë kreun e kësaj partie. Kongresi Zgjedhor i PDK-së do të mbahet gjatë kësaj fundjave, por deri më tani askush nuk është paraqitur për të sfiduar Thaçin, i cili e drejton këtë parti që nga themelimi. Ditë më parë, sekretari i PDK-së, njëherazi edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se i ka kërkuar kryetarit të partisë, që Kongresi Zgjedhor të shtyhet deri në lirimin e nënkryetarit të PDK-së, Fatmir Limaj, i cili ndodhet në paraburgim nën akuzën për krime lufte. Deri më tani, një kërkesë e tillë nuk është paraqitur në organet e PDK-së, por për këtë çështje, koordinatori i zgjedhjeve në PDK, Basri Musmurati, ka thënë se është e drejtë e Këshillit Drejtues të partisë, që të vendosë.