Kremlini ka thënë se komentet e presidentit amerikan, Joe Biden, se Putini “nuk duhet të qëndrojë në pushtet”, janë mjaft shqetësuese.

“Se kush e udhëheq Rusinë, këtë nuk e vendos Biden. Deklarata e tij është shumë alarmuese. Do të vazhdojmë t`i monitorojmë komentet e tij e do t`i mbajmë shënim me kujdes”: përmes zëdhënësit Dmitry Peskov, Kremlini reagoi në këtë mënyrë ndaj pretendimeve të presidentit amerikan, i cili gjatë një fjalimi të zjarrtë të shtunën e quajti Vladimir Putinin “kasap” e tha se “ ai njeri nuk mund të qëndrojë më në pushtet”.

Biden e dha këtë deklaratë të shtunën në Varshavë të Polonisë, gjatë përmbylljes së vizitës së tij në Evropë. Më vonë ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndonjë politikë për ndryshim të regjimit në Rusi.

Por, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se deklaratat e Bidenit janë “alarmuese” dhe se Moska do të vazhdojë t’i ndjekë me kujdes deklaratat e Bidenit, pas këtij incidenti.