Kreu i Partisë Aleanca në Kosovë, Ardian Gjini, ka reaguar pas vendimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të hequr dorë nga kërkesat për poste shtetërore, duke mos kërkuar Presidencën, pjesëmarrjen në qeveri apo drejtimin e Kuvendit.
Gjini e ka cilësuar këtë qëndrim të LDK-së si të drejtë dhe parimor, ndërsa ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje se synojnë kontrollin e institucioneve të vendit.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Gjini u shpreh se Aleanca e ka kundërshtuar prej kohësh atë që e konsideron si përpjekje të Kurtit dhe partisë së tij për të marrë kontroll të plotë mbi institucionet.
“Qëndrimi i sotëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës për të mos marrë pjesë në qeverisje me Kurtin është i drejtë dhe parimor dhe si të tillë e përshëndes”, shkroi Gjini.
Sipas tij, Kosova nuk duhet të përqendrojë kontrollin institucional në duart e një personi. Në vijim, kreu i Aleancës renditi edhe disa nga kërkesat që, sipas tij, duhet të përmbushë çdo qeveri e ardhshme.
Në listën e Gjinit janë përfshirë mbështetja për gazin amerikan, ndërtimi i kapaciteteve energjetike, përfundimi i infrastrukturës kryesore, rritja e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla, heqja e tatimit në pronë për bujqit dhe rritja e investimeve në Prishtinë.
