Claudio Neves Valente, 48 vjeç, shtetas portugez dhe autor i dyshuar i shtënave me armë zjarri në Universitetin Brown, është gjetur i vdekur në një depo në Salem. 48-vjeçari ishte shpallur në kërkim prej 6 ditësh.
Sipas BBC, Valente kishte studiuar në Universitetin Brown në Providence, Rhode Island, rreth 25 vjet më parë. Pas sulmit në universitet, hetuesit morën informacione nga provat video dhe publikun, që i udhëhoqën deri në një vend me qera makinash, ku u identifikua emri i të dyshuarit.
Policia beson se Valente mund të jetë përgjegjës edhe për vrasjen e një profesori të Institutit të Teknologjisë në Masaçusets, dy ditë pas të shtënave në Brown, më 13 dhjetor.
Zyrtarët njoftuan se Valente vdiq nga një plagë me armë zjarri që dyshohet se e ka shkaktuar vetë. Ted Docks, agjenti special i FBI-së, deklaroi: “Edhe pse i dyshuari u gjet i vdekur sonte, puna jonë nuk ka mbaruar ende. Ka shumë pyetje që duhet të marrin përgjigje.”
