Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në qytetin e Manchesterit, në Britaninë e Madhe, ku një burrë me thikë ka sulmuar besimtarë hebrenj jashtë një sinagoge, duke vrarë dy persona dhe plagosur disa të tjerë. Ngjarja ndodhi të enjten, gjatë ditës së shenjtë hebraike Yom Kippur.

Autori i sulmit është identifikuar si Jihad Al-Shamie, 35 vjeç, i cili u qëllua për vdekje nga policia vetëm pak minuta pas sulmit. Ai kishte ardhur nga Siria në Mbretërinë e Bashkuar kur ishte fëmijë dhe kishte marrë shtetësinë britanike në vitin 2006. Mësohet se ai ka jetuar në zonën e Manchesterit për shumë vite dhe kishte punuar si mësues privat për gjuhën angleze dhe kompjuter.

Sulmi ndodhi rreth orës 9:30 të mëngjesit, kur Al-Shamie përplasi makinën e tij ndaj një grupi besimtarësh jashtë sinagogës Heaton Park dhe më pas zbriti nga automjeti duke sulmuar me thikë njerëzit në rrugë. Viktimat janë Adrian Daulby, 53 vjeç, dhe Melvin Cravitz, 66 vjeç, dy anëtarë të njohur të komunitetit hebre.

Sipas dëshmitarëve, autori vepronte në mënyrë të ftohtë dhe të planifikuar, duke sulmuar çdo person që kishte shenja të përkatësisë hebraike. Ai ishte i veshur me një jelek që dyshohej të ishte me eksploziv, por më vonë policia konfirmoi se ishte i rremë.

Rabini i sinagogës, Daniel Walker, arriti të mbyllë dyert dhe të pengojë hyrjen e autorit brenda, duke parandaluar një masakër edhe më të madhe. Një tjetër anëtar i komunitetit, Yoni Finlay, ndihmoi në përballimin e situatës dhe për fat të keq u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit mes policisë dhe sulmuesit.

Policia britanike ka arrestuar tre persona të tjerë – dy burra dhe një grua – që dyshohet se mund të kenë lidhje me planifikimin e sulmit. Hetimet janë ende në vijim për të zbuluar motivet dhe nëse sulmi është pjesë e një rrjeti më të gjerë terrorist.

Autoritetet konfirmuan se Al-Shamie nuk ishte nën mbikëqyrje nga shërbimet e sigurisë dhe nuk ishte pjesë e programeve të deradikalizimit. Megjithatë, sulmi ka hapur debate të ashpra mbi kontrollin e individëve me prirje ekstremiste dhe sigurinë e komuniteteve fetare në Mbretërinë e Bashkuar.

Kryeministri Keir Starmer e dënoi ashpër ngjarjen, duke premtuar masa shtesë sigurie për sinagogat dhe komunitetet hebraike në të gjithë vendin.