Një zyrtare e lartë në Department of Homeland Security është përfshirë në një polemikë që ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe opinionit publik në SHBA.

Bëhet fjalë për Julia Varvaro, e cila mbante një pozicion drejtues si zv.sekretare e Sigurisë së Brendshme dhe që tashmë është pezulluar nga detyra, ndërsa po shqyrtohen pretendime që lidhen me jetën e saj private dhe përdorimin e platformave online për njohje.

Sipas raportimeve, ajo dyshohet se kishte krijuar një profil në një faqe takimesh, përmes së cilës kishte hyrë në marrëdhënie me persona më të moshuar dhe me gjendje të mirë ekonomike. Çështja doli në dritë pasi një ish-partner i saj pretendon se ka raportuar llogarinë, duke ngritur dyshime mbi natyrën e marrëdhënies.

Ai ka deklaruar se gjatë një periudhe disa mujore ka shpenzuar shuma të konsiderueshme për dhurata dhe udhëtime, duke përmendur edhe blerje luksi dhe shpenzime të larta financiare.

Deri më tani, nuk ka një konfirmim zyrtar për shkelje ligjore, por rasti po shqyrtohet në nivel administrativ për të vlerësuar nëse sjellja e saj bie ndesh me standardet etike që kërkohen për një funksionar të tillë publik.

Ngjarja ka hapur diskutime më të gjera mbi kufirin mes jetës private dhe përgjegjësive publike të zyrtarëve të lartë, si dhe mbi ndikimin që këto situata mund të kenë në besimin e publikut ndaj institucioneve.