Një ngjarje tronditëse është regjistruar në qytetin e Mirandolës, në provincën e Modenës, Itali, ku një çift të moshuarish është gjetur i vrarë brenda banesës së tyre, me kokat e prera. Për krimin dyshohet djali i gruas, 54-vjeçari Daniele Tavoni, i cili është ndaluar nga autoritetet.
Viktimat janë identifikuar si Vincenza Giannini, 74 vjeçe, dhe bashkëshorti i saj, Pier Ferdinando Casari, 83 vjeç. Trupat e tyre u zbuluan të enjten në mbrëmje, pas mbërritjes së karabinierëve, policisë dhe ekipeve të urgjencës mjekësore.
Sipas hetimeve paraprake, në banesën ku jetonte Tavoni, pranë shtëpisë së viktimave, hetuesit kanë gjetur mjete me gjurmë të shumta gjaku, të cilat dyshohet se mund të jenë përdorur në kryerjen e krimit.
54-vjeçari, djali i Vincenza Gianninit nga një martesë e mëparshme, është marrë në pyetje që mbrëmjen e së enjtes. Sipas rindërtimeve paraprake të hetuesve, dyshohet se ai kishte pasur konflikte të përsëritura me çiftin për çështje ekonomike.
Pas ndalimit, Tavoni është dërguar në burgun e Modenës. Prokuroria pritet t’i kërkojë gjyqtarit kompetent të shqyrtojë ligjshmërinë e ndalimit dhe të vendosë për masën e sigurisë.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes së dyfishtë, ndërsa ende nuk është bërë e ditur se kush i njoftoi shërbimet e emergjencës për zbulimin e trupave.
