Një person humbi jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur pas të shtënave me armë zjarri në një institucion arsimor në Anapa të Rusisë.

Autoritetet lokale njoftuan se autori i dyshuar është një 17-vjeçar, i cili u arrestua menjëherë pas ngjarjes nga forcat e rendit. Sipas mediave ruse, i mituri dyshohet se kishte marrë një pushkë nga një i afërm i tij.

Roja i shkollës që njoftoi policinë humbi jetën gjatë përpjekjes për ta ndaluar autorin. Ndërkohë, tre persona të tjerë u plagosën dhe po marrin trajtim mjekësor.

Forcat e Rosgvardiya ndërhynë shpejt për të neutralizuar situatën dhe për të siguruar zonën. Guvernatori i rajonit Krasnodar e cilësoi ngjarjen si një “krim të rëndë”, duke falënderuar policinë për reagimin e shpejtë që, sipas tij, parandaloi një bilanc më tragjik.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes.