Përballë përkeqësimit të situatës së sigurisë në vend, presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në dhjetë provinca dhe tre bashki, një masë që do të mbetet në fuqi për 60 ditë.

Vendimi i qeverisë i jep autoriteteve kompetenca të zgjeruara për të luftuar krimin e organizuar dhe grupet e armatosura që veprojnë në territorin e vendit. Në kuadër të masave të reja, disa garanci kushtetuese do të kufizohen përkohësisht, duke lejuar ndërhyrje më të shpejta të forcave të sigurisë.

Sipas dekretit presidencial, policia dhe ushtria do të kenë mundësinë të kryejnë kontrolle të menjëhershme në banesa dhe ambiente të tjera kur ekzistojnë dyshime të bazuara për praninë e anëtarëve të organizatave kriminale ose grupeve të armatosura.

Autoritetet do të kenë gjithashtu të drejtën të mbledhin dhe përpunojnë informacione operative për identifikimin dhe neutralizimin e kërcënimeve ndaj rendit publik. Në raste të veçanta, mund të ndërmerren edhe masa për sekuestrimin e përkohshëm të mallrave apo shërbimeve që lidhen me veprimtari të paligjshme.

Qeveria argumenton se vendimi është marrë si përgjigje ndaj rritjes së ndjeshme të dhunës kriminale në muajt e fundit. Sipas autoriteteve, grupet e krimit të organizuar kanë intensifikuar aktivitetin e tyre, duke shtuar numrin e atentateve, rrëmbimeve, zhvatjeve, grabitjeve dhe rasteve të trafikut të drogës.

Në dokumentin zyrtar theksohet se këto fenomene po ndikojnë jo vetëm në sigurinë e qytetarëve, por edhe në zhvillimin ekonomik të vendit, duke krijuar pasiguri për bizneset dhe investitorët.

Ekuadori është përballur vitet e fundit me një përshkallëzim të paprecedentë të dhunës së lidhur me kartelet e drogës, të cilat kanë shfrytëzuar pozicionin strategjik të vendit për trafikun e lëndëve narkotike drejt tregjeve ndërkombëtare. Autoritetet shpresojnë se masat e reja do të ndihmojnë në rikthimin e kontrollit dhe stabilitetit në zonat më problematike të vendit.