Tre nga autoritetet kryesore financiare në Bashkimin Evropian kanë lëshuar një paralajmërim të fortë për qytetarët që investojnë në kriptovaluta dhe stablecoin-e, duke theksuar se rreziku i humbjes është i lartë dhe mbrojtja ligjore është e kufizuar.

Autoriteti Evropian për Bursat (ESMA), Autoriteti Bankar Evropian (EBA) dhe ai për Sigurimet (EIOPA) po zhvillojnë një fushatë informuese për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për rreziqet e lidhura me këto asete dixhitale.

Në deklaratën e tyre të përbashkët, autoritetet theksojnë se, pavarësisht inovacionit që sjellin, kriptoasetet nuk duhet të konsiderohen të sigurta si produktet financiare tradicionale.

Shumë prej tyre nuk përfshihen në mbrojtjen që ofron Rregullorja e BE-së për Kriptoasetet (MiCAR), dhe nuk janë të mbuluara nga skemat e kompensimit në rast humbjesh. Gjithashtu, informacioni që u ofrohet investitorëve shpesh është i paqartë ose i mangët.

Autoritetet vënë në dukje se interesi i madh për kriptoasetet është nxitur edhe nga fushata agresive marketingu në rrjete sociale, ndaj qytetarët këshillohen të mos marrin vendime financiare pa u informuar mirë.

“Mos supozoni se kriptoasetet ofrojnë të njëjtin nivel sigurie si investimet e zakonshme,” thuhet në deklaratë.