Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka bërë thirrje për masa të shpejta për të ulur përdorimin e karburanteve me krizën e shkaktuar nga lufta në Iran.

Rekomandimet përqendrohen tek transporti, i cili, sipas IEA-s, përbën afërsisht 45 përqind të konsumit të naftës. Agjencia thekson se edhe ndryshimet e thjeshta në sjellje mund të kenë një ndikim të shpejtë, prandaj ajo rekomandon ndryshime në sjelljen e shoferëve për të ulur me shpejtësi konsumin: si kufizime shpejtësie, punë nga shtëpia, më pak fluturime.

Edhe një kalim më i madh në transportin publik mund të ulin konsumin e karburantit. Për më tepër, sipas IEA-s, një ulje prej të paktën dhjetë kilometrash në orë e kufizimeve të shpejtësisë në autostrada do të ulte konsumin e karburantit si në transportin e pasagjerëve ashtu edhe në atë të mallrave. Kufizimet e aksesit për makinat në qytetet e mëdha, siç është alternimi midis makinave me targa çift dhe tek, gjithashtu mund të ndihmojnë. Kjo do të zvogëlonte mbingarkesën dhe do të ulte konsumin e karburantit.

Agjencia sheh kursime shtesë tek drejtimi më efikas dhe përmirësime në transportin e mallrave dhe shpërndarjes. Më pak fluturime gjithashtu do të ulnin kërkesën për naftë gjatë krizës. IEA rekomandon masa efikase të drejtuara sakte, jo aq subvencione të zgjeruara shtetërore, këtë e kanë treguar krizat edhe në të shkuarën.

Në të njëjtën kohë, agjencia thekson se vendet e saj anëtare kanë filluar tashmë të lirojnë rezervat strategjike të naftës. Rezervat e liruara do të “përbëhen kryesisht nga nafta bruto”, me kontribute nga Evropa “kryesisht në formën e produkteve të rafinuara”, njoftoi IEA. Organizata vendosi një javë më parë të lirojë 426 milionë fuçi naftë nga rezervat e saj të emergjencës për të zbutur rritjen e çmimeve të shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme./DW