Shtetet e Bashkuara po u kërkojnë aleatëve të dërgojnë anije luftarake për të mbrojtur trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më strategjike të naftës në botë. Ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, tha se president Donald Trump i është drejtuar gjithë komunitetit ndërkombëtar duke kërkuar kontribut për sigurinë e kësaj rruge detare.

“Irani nuk mund të mbajë peng ekonomitë tuaja”, tha Waltz për CNN, duke theksuar se SHBA mirëpret dhe madje kërkon pjesëmarrjen e vendeve të tjera për të mbrojtur tregtinë globale.

Ai shtoi se ushtria amerikane do të vazhdojë të godasë forcat iraniane, përfshirë njësitë detare me raketa dhe dronë, për të mbajtur të hapur ngushticën. Administrata amerikane ka bërë të ditur se disa vende mund të përfshihen në patrullimin e rrugës së naftës në Hormuz, ndërsa diskutimet për operacionet e shoqërimit të anijeve janë ende në zhvillim.