Të dërguarit amerikanë u nisën të shtunën drejt kryeqytetit pakistanez, Islamabad, në një përpjekje për të hapur një raund të ri negociatash paqeje me Iranin, mes një armëpushimi të brishtë në Liban.

Megjithatë, perspektiva e bisedimeve të drejtpërdrejta mbetet e paqartë.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se emisarët Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të angazhohen në një “bisedë ballë për ballë” me përfaqësuesit iranianë.

Por media shtetërore iraniane raportoi se nuk ka plane për negociata të drejtpërdrejta, duke e parë Pakistanin si një urë për përcjelljen e propozimeve.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, mbërriti të premten në Islamabad për takime me zyrtarët pakistanezë, ndërsa më pas pritet të vizitojë Omanin dhe Rusinë.

Ndërkohë, armëpushimi i shpallur nga Presidenti Donald Trump për Libanin u shoqërua me tensione, pasi sulmet izraelite në jug të vendit shkaktuan gjashtë viktima.

Trump shprehu besim për një paqe të qëndrueshme, por arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse në Lindjen e Mesme shihet si sfidë e madhe.

Një çështje kyçe mbetet rihapja e Ngushticës së Hormuzit, një kanal jetësor për tregtinë globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm. Irani ka vendosur kufizime të forta në kalimin e anijeve, duke shkaktuar trazira në tregjet e energjisë. Bashkimi Evropian e ka cilësuar hapjen e ngushticës si “jetike për botën”.

Në këtë klimë tensioni, Shtetet e Bashkuara kanë shtuar praninë ushtarake në rajon me mbërritjen e aeroplanmbajtëses USS George HW Bush.

Ndërkohë, tregjet financiare reaguan pozitivisht ndaj shpresave për rifillimin e bisedimeve, me indeksin e Wall Street që u mbyll në nivele rekord.

Në terren, situata mbetet dramatike. Në Libanin jugor, banorët kërkojnë mes rrënojave kujtime të familjarëve të humbur nga bombardimet izraelite, duke dëshmuar se paqja e vërtetë është ende larg.