Italia prej ditës së djeshme është në krizë qeveritare, pasi kryeministri Giuseppe Conte dha dorëhrqjen pas largimit të deputetëve të Italia Viva-s partisë së Matteo Renzi-t nga koalicioni qeveritar.
Ky koalicion përbëhet nga Lëvizja 5 yje, Partia Demokratike dhe Italia Viva. E gjithë lufta dhe kriza qeveritare që shpërtheu ka të bëjë me shpërndarjen e fondeve të Recovery fund të BE-së ku bëhet fjalë për miliarda euro që do të shpërndahen në rajonet e Italisë për të përballur pandeminë e Covid-19 dhe krizën që ka sjellë kjo pandemi.
Conte vendosi që shpërndarja e 200 miliardë eurove të përqendrohet në duart e tij, çka i jep një super pushtet, që natyrisht do të sjellë një favor edhe politik të tij dhe partisë Lëvizja 5 yjet, e cila është dobësuar shumë dy vitet e fundit.
Renzi kërkonte një mënyrë të re shpërndarje dhe kërkoi që këto para të administrohen nga e besuara e tij Maria Elena Boschi, ish-ministre për Reformat Institucionale në qeverinë “Renzi”. Conte nuk pranoi, qeveria kalon në votëbesim në Dhumën e Ulët, e fiton por humb në senat.
Conte jep dorëheqjen tek Presidenti Sergio Matarella, i cili kërkon një mazhorancë të qartë për qeverinë e re. Matarella ka nisur konsultimet me partitë politike, ndërkohë Conte pritet të marrë një mandate të tretë si kryeministër, pasi ka siguruar 10 vota nga deputetë të Forzza Italia-s.
Silvio Berlusconi, padroni fuqiplotë i partisë së qendrës së djathtë e ka thënë më shumë se njëherë se do të jetë ai që do të mbajë në fuqi Conte pikërisht për të ruajtur projektin europian dhe të mos lejojë që populistët të kthehen në fuqi.
Por Berlusconi natyrisht që kërkon pjesën e vet tek ndarja e 200 miliardave, natyrisht në rajonet ku Forza Italia ka fuqinë politike dhe sipas gjasave do të ketë një ministër të rëndësishëm që shpërndan fondet.
Pra thelbi i krizës italiane është ikën Renzi e vjen Berlusconi. Siç bën të ditur La Repubblica, ka lindur një grup prej 10 deputetësh që quhet Europeisti pro Conte, që do të mbështesë qeverinë e re./Gazeta Shqip