Nga kongresi i partisë Demokracia e Re, i mbajtur të dielën në Athinë, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dha sinjalin më të qartë deri tani për synimin e një mandati të tretë qeverisës, ndërsa premtoi vijimin e reformave, rritjen ekonomike dhe stabilitet politik në Greqi.
Në fjalën përmbyllëse të kongresit tre-ditor të partisë në pushtet, Mitsotakis tha se Greqia është më e fortë kur Demokracia e Re është e bashkuar.
“Jemi më të bashkuar se kurrë. Kur Demokracia e Re është e bashkuar, edhe Greqia është e bashkuar. Kur Demokracia e Re fiton, fiton edhe atdheu”, deklaroi ai, duke e paraqitur fitoren në zgjedhjet e ardhshme si një nevojë për stabilitetin e vendit dhe jo vetëm si objektiv partiak. Kryeministri grek paralajmëroi gjithashtu kundër rikthimit të “paqëndrueshmërisë dhe eksperimentimeve”, duke iu referuar periudhave të mëparshme të pasigurisë politike në vend.
Mitsotakis tha se një ekonomi e fortë mbetet kushti kryesor për një Greqi të fortë, ndërsa vuri theksin edhe te rëndësia e inteligjencës artificiale në përmirësimin e administratës publike dhe funksionimit të shtetit. Duke bërë bilancin e qeverisjes që prej vitit 2019, ai e konsideroi rritjen e punësimit si një nga arritjet kryesore të qeverisë së tij.
“Në vitin 2019 papunësia ishte 18%. Sot kemi krijuar 600 mijë vende pune”, tha Mitsotakis, duke shtuar se ky ndryshim ka krijuar optimizëm dhe ka nxitur interesin e të rinjve grekë që kishin emigruar për t’u kthyer në vend.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e përgjegjshmërisë fiskale, duke deklaruar se qeveria nuk mund t’u lërë brezave të ardhshëm barrë të tepërt borxhi publik. Sipas tij, masat sociale janë të nevojshme, por duhet të mbeten brenda kufijve të buxhetit. Mitsotakis mbrojti politikën ekonomike të qeverisë së tij, duke kujtuar se administrata aktuale ka realizuar ulje të konsiderueshme taksash.
Kryeministri grek përmendi edhe rikthimin e Greqisë në statusin e investimeve, rritjen e investimeve të huaja, si edhe rritjen e pagës minimale, pagës mesatare dhe pensioneve, si tregues të progresit ekonomik të vendit.
Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, Mitsotakis deklaroi se ato do të mbahen në vitin 2027, në përfundim të mandatit katërvjeçar të qeverisë aktuale, duke theksuar se “ka ende shumë punë për t’u bërë”. Ai shtoi se deri në fund të muajit gusht duhet të përmbushen të gjitha objektivat që lidhen me fondet europiane të rimëkëmbjes dhe rezistencës, ndërsa paralajmëroi edhe projekte të reja infrastrukturore dhe zhvillimi.
Në fund të fjalimit, Mitsotakis kërkoi një fitore të tretë historike për Demokracinë e Re, duke prezantuar një plan të mbështetur në tre prioritete kryesore: mirëqenie për të gjithë, siguri kombëtare dhe rinovim institucional përmes reformave strukturore, përfshirë edhe ndryshime të mundshme kushtetuese.
“Të ecim së bashku për Greqinë e vitit 2030”, përfundoi ai.
