Kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nielsen, tha ditën e djeshme se përfaqëson një komb krenar që kërkon të ruajë rendin ndërkombëtar, duke iu përgjigjur komenteve të fundit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në lidhje me ishullin Arktik.

Trump, të mërkurën e javës së kaluar, shprehu zhgënjimin e tij me NATO-n, ndërsa marrëdhëniet arritën në një pikë krize për shkak të luftës me Iranin, duke thënë se aleanca ushtarake nuk ishte aty kur ishte e nevojshme dhe se ai ende e kujton Groenlandën si një “copë të madhe akulli të keqmenaxhuar”.

“Ajo që është e rëndësishme për ne është të ruajmë komunitetin global që kemi ndërtuar që nga Lufta e Dytë Botërore, ku kemi një aleancë mbrojtëse që e respektojmë dhe ku kemi ligj ndërkombëtar që respektohet nga të gjitha palët”, tha Nielsen për Reuters.

“Këto gjëra po sfidohen tani dhe mendoj se të gjithë aleatët duhet të bashkohen për t’i ruajtur ato. Shpresoj që kjo do të ndodhë”, tha ai.

Aleatët e NATO-s kishin provuar tashmë të gjenin mënyra për të ruajtur unitetin e aleancës në fillim të këtij viti, pasi Trump ringjalli përpjekjen e tij për të marrë Groenlandën nga Danimarka, anëtare e NATO-s.

Nielsen sot hodhi poshtë karakterizimin e Trump për vendin e tij.

“Ne nuk jemi një copë akulli. Ne jemi një komb krenar me 57,000 banorë, që punojmë çdo ditë si qytetarë të mirë të botës, duke respektuar plotësisht aleatët tanë”, tha Nielsen.