Kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut, i ka paraqitur presidentit Aleksandar Vuçiç kërkesën për shpërndarjen e Kuvendit, duke hapur rrugën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Sipas Kushtetutës serbe, Kuvendi mund të shpërndahet nga presidenti me propozim të arsyetuar të Qeverisë. Pas shpërndarjes, kreu i shtetit duhet të shpallë zgjedhjet parlamentare, të cilat duhet të zhvillohen brenda 60 ditëve.
Zgjedhjet e parakohshme janë kërkuar prej muajsh nga studentët serbë, të cilët që prej majit 2025 kanë organizuar protesta dhe bllokime të fakulteteve, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 personave në incidentin e nëntorit 2024 në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.
Presidenti Vuçiç kishte paralajmëruar më herët se zgjedhjet mund të zhvilloheshin më 18 ose 25 tetor.
Thirrjet për zgjedhje të reja kanë ardhur në një periudhë të tensionuar politike në vend, ndërsa përfaqësuesit e pushtetit i kanë përmendur disa herë zgjedhjet e parakohshme.
Ndërkohë, Vuçiç ka deklaruar se synon të largohet nga posti i presidentit përpara përfundimit të mandatit të tij, i cili përfundon në prill të vitit 2027.
