Italia është e gatshme ta njohë shtetin e Palestinës, por kjo njohje do të varet nga përmbushja e dy kushteve të qarta dhe të panegociueshme. Këtë e bëri të ditur Kryeministrja Giorgia Meloni, e cila tha se shumica parlamentare do të paraqesë një mocion për këtë çështje në Dhomën e Deputetëve.
Sipas Melonit, njohja e Palestinës do të mund të realizohet vetëm nëse plotësohen dy kushte kryesore: lirimi i pengjeve dhe përjashtimi i Hamasit nga çdo proces apo strukturë qeverisëse brenda Palestinës.
“Nuk jam kundër njohjes së shtetit palestinez, por duhet të vendosim prioritetet e duhura,” deklaroi Meloni. Ajo shtoi se shpreson që kjo qasje të gjejë mbështetje edhe nga opozita, ndërsa u shpreh e bindur se nuk do të mbështetet nga Hamasi dhe grupet islamiste ekstremiste.
Kryeministrja theksoi se njohja duhet të bëhet në bazë të arsyes dhe stabilitetit, jo nën ndikimin e forcave radikale, duke kërkuar një qëndrim të përbashkët dhe të matur nga të gjitha forcat politike në vend.