Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është i bindur që Ukraina ka mundësi të rimarrë të gjithë territorin e pushtuar nga Rusia gjatë tre viteve të luftës dhe madje të shkojë përtej kësaj. Në një mesazh të publikuar në Truth Social, pas muajsh përpjekjesh për ndërmjetësim, kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, Ukraina ndodhet në një pozitë të fortë për të fituar.
Trump vlerësoi dëmet e mëdha ushtarake dhe ekonomike që Ukraina i ka shkaktuar Rusisë, duke e cilësuar këtë të fundit si një “tigër prej letre”. Ai theksoi se një fuqi e vërtetë ushtarake do ta kishte fituar një luftë të tillë për më pak se një javë, ndërsa Rusia ka luftuar pa një qëllim të qartë për tre vjet e gjysmë.
“Ukraina, me kohë, durim dhe mbështetjen financiare të Evropës dhe veçanërisht të NATO-s, mund të rikthejë kufijtë origjinalë dhe pse jo, të arrijë më shumë se kaq. Rusia po përballet me një krizë të rëndë ekonomike, ku shumica e fondeve po përdoren për luftën, ndërsa qytetarët rusë vuajnë mungesën e karburantit dhe problemet e tjera të përditshme”, shkroi Trump.
Ai shtoi se kjo është koha e duhur që Ukraina të veprojë, duke nënvizuar se “Putin dhe Rusia janë në vështirësi të mëdha”. Në fund të mesazhit të tij, Trump i uroi të dy vendet gjithë të mirat dhe ritheksoi se SHBA do të vijojë të furnizojë NATO-n me armë, për të cilat aleanca mund të vendosë vetë sesi t’i përdorë.