Një zbulim i jashtëzakonshëm arkeologjik në zemër të Amazonës po ndryshon mënyrën se si shihet historia e rajonit. Studiuesit kanë identifikuar qindra struktura monumentale të ndërtuara nga njeriu, të fshehura për shekuj nën pyllin e dendur tropikal, të cilat dëshmojnë se zona ka qenë e banuar nga shoqëri të organizuara shumë kohë përpara mbërritjes së evropianëve.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore Nature, dokumenton zbulimin e afro 400 strukturave të panjohura më parë. Ato përfshijnë forma të ndryshme gjeometrike, si rrathë, katrorë dhe komplekse të lidhura mes tyre me rrugë, duke krijuar një rrjet të gjerë ndërtimesh të shpërndara në jugperëndim të Amazonës, pranë kufirit mes Bolivisë, Brazilit dhe Perusë.

Sipas studiuesve, një pjesë e madhe e këtyre strukturave janë gjeoglife, të krijuara në periudhën nga rreth viti 600 para Krishtit deri në vitin 850 pas Krishtit. Këto zbulime hedhin poshtë idenë e kahershme se Amazona ishte një pyll i paprekur dhe pothuajse i pabanuar para ardhjes së Kristofor Kolombit dhe kolonizatorëve evropianë në fund të shekullit XV.

Për të zbuluar atë që fshihej nën kurorën e dendur të pemëve, ekipi përdori teknologjinë LiDAR, një sistem skanimi me lazer që krijon modele tredimensionale të terrenit edhe në zona ku bimësia e bën të pamundur vëzhgimin me sy të lirë. Kjo metodë konsiderohet një nga mjetet më të rëndësishme të arkeologjisë moderne për identifikimin e strukturave të fshehura.

Ndërtimet e zbuluara përfshijnë kodra artificiale, kanale dhe platforma të ngritura, me përmasa që ndryshojnë ndjeshëm. Shumica shtrihen në sipërfaqe rreth 28 hektarë, ndërsa kanalet që i rrethojnë arrijnë deri në nëntë metra gjerësi dhe rreth 4.5 metra thellësi. Struktura më e madhe e identifikuar mbulon mbi 485 hektarë.

Arkeologu José Iriarte, nga Universiteti i Exeter, e cilësoi kërkimin si një nga projektet më të rëndësishme të realizuara ndonjëherë në këtë rajon.

“Ky është hartëzimi më i gjerë me teknologjinë LiDAR i kryer ndonjëherë në Amazonën jugperëndimore. Ai tregon qartë se njerëzit kanë transformuar peizazhin në një shkallë shumë më të madhe nga sa besohej më parë”, u shpreh ai.

Megjithatë, funksioni i saktë i këtyre strukturave mbetet ende i paqartë. Sipas studiuesve, do të nevojiten gërmime dhe analiza të mëtejshme për të përcaktuar nëse ato kanë shërbyer si vendbanime, qendra ceremoniale, hapësira rituale apo kanë pasur funksione të tjera në jetën e komuniteteve të lashta të Amazonës.