Pamje tronditëse janë ato që vijnë nga Brazili, ku janë regjistruar të paktën 132 viktima pas një bastisjeje bandash të kryer nga policia. Rrugët në favelën Penha të Rio de Janeiro-s janë të mbushura me trupat e viktimave, teksa familjarët e tyre vajtojnë humbjen.
Autoritetet shtetërore të Rio de Janeiros thanë të martën se të paktën 132 persona, përfshirë katër policë, u vranë në bastisjet ku morën pjesë 2,500 oficerë policie. Një numër i përditësuar i të vdekurve pritet të dalë të mërkurën.
Oficerë të armatosur rëndë, të mbështetur nga 32 automjete të blinduara, dy helikopterë, 12 automjete shkatërrimi dhe dronë, zbritën në dy lagje favela në rajonin verior të Rios të martën pasdite.
Të shtëna me armë zjarri dëgjoheshin për kilometra të tëra pranë Aeroportit Ndërkombëtar të RIOgaleão dhe tymi nga zjarret pushtoi zonën. Banorët në lagjet e varfra u përpoqën të fshiheshin dhe dyqanet mbyllën dyert e tyre mes pretendimeve të policisë se bandat po kundërsulmonin me dronë.
Qeveria qendrore tha se sulmi i shpejtë u nis për të ndaluar rrjetin e narkotikëve të një bande të quajtur Comando Vermelho (Komanda e Kuqe).
Por ka pasur spekulime të shumta se bastisja mund të jetë projektuar si një paralajmërim për anëtarët e bandave përpara dy ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare që do të mbahen javën e ardhshme në qytet, takimi global C40 i kryetarëve të bashkive që merren me ndryshimet klimatike dhe një vizitë e Princit të Mbretërisë së Bashkuar, William.











