Një burrë australian ka ndërruar jetë në Tajlandë, pasi u përplas me një derë xhami. Policia u thirr rreth orës 22:30 të mbrëmjes së 11 dhjetorit në një restorant në Karon, Phuket, pas raportimeve për një shqetësim që përfshinte një të huaj.

Oficerët mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe gjetën derën prej xhami të biznesit të thyer, si dhe një pellg të madh gjaku në dysheme.

“Daily Mail” shkruan se, australiani ishte dërguar me urgjencë në Spitalin Chalong, ku më vonë vdiq nga humbja e madhe e gjakut për shkak të një prerjeje të thellë në këmbën e djathtë.

Pas ngjarjes së rëndë, policia ka shqyrtuar pamjet e kamerave të sigurisë nga brenda restorantit. Aty rezulton se australiani kishte hyrë vetëm dhe ishte ulur në një tavolinë.

Sjellja e tij e çuditshme bëri që disa klientë aty pranë të largoheshin prej tij. Ai dukej i çorientuar dhe tundte kokën vazhdimisht përpara se të ngihej papritur dhe të vraponte drejt derës prej xhamit dhe njëkohësisht edhe bërtiste.

Stafi shkoi menjëherë drejt burrit kur ai goditi xhamin. Nga përplasja e fortë, dera prej xhami u thye dhe australiani u rrëzua jashtë restorantit.

Ndërkohë autoritetet përkatëse në Tajlandë kanë nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Ende nuk dihet nëse familja e burrit në fjalë është lajmëruar për vdekjen e tij.