Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, deklaroi se Izraeli nuk synon një luftë të pafundme me Iranin dhe se çdo vendim për përfundimin e luftimeve do të koordinohet me Shtetet e Bashkuara.

Duke folur për gazetarët në Jerusalem së bashku me homologun e tij gjerman, Saar theksoi se operacionet ushtarake do të vazhdojnë derisa Izraeli dhe partnerët e tij të vlerësojnë se është momenti i duhur për t’i dhënë fund konfliktit.

“Ne do të vazhdojmë deri në minutën që ne dhe partnerët tanë mendojmë se është e përshtatshme të ndalemi. Nuk po kërkojmë një luftë të pafundme”, u shpreh ai.

Konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit ka hyrë në ditën e 11-të, duke përfshirë disa vende të Lindjes së Mesme. Sipas raportimeve, sulmet iraniane kanë goditur edhe shtete fqinje, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Izraeli po zhvillon operacione ushtarake kundër Hezbollahut në Liban dhe objektivave në Iran.

Nga ana tjetër, kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi nga Berlini se në Evropë po rritet shqetësimi për përshkallëzimin e luftës dhe për mungesën e një plani të qartë për përfundimin e saj.

Saar theksoi se objektivi i Izraelit është eliminimi afatgjatë i kërcënimeve që, sipas tij, vijnë nga Irani ndaj sigurisë së Izraelit. Ai e cilësoi gjithashtu udhëheqësin e ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, si një figurë ekstremiste.

Sipas tij, Izraeli synon të shkatërrojë programet bërthamore dhe të raketave balistike të Iranit dhe të krijojë kushte që qytetarët iranianë të mund të ndryshojnë regjimin në vendin e tyre.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, zyrtari i parë i lartë i huaj që viziton publikisht Izraelin që nga fillimi i luftës, u shpreh se beson që Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara janë të hapura për një zgjidhje diplomatike që mund të çojë në përfundimin e konfliktit.

Megjithatë, ai theksoi se çdo marrëveshje e mundshme do të duhet të përfshijë kufizime për programet bërthamore dhe raketore të Iranit, si dhe për mbështetjen e tij ndaj milicive në rajon, kushte që, sipas tij, Teherani aktualisht nuk është i gatshëm t’i pranojë.