Udhëheqësi i partisë “Yashar”, Gadi Eisenkot, ish-shef i ushtrisë izraelite, është shfaqur si një nga figurat kryesore të garës politike në Izrael, duke sfiduar kryeministrin Benjamin Netanyahu. Megjithatë, pavarësisht rezultateve paraprake që tregojnë dobësimin e bllokut qeverisës, rruga drejt formimit të një qeverie të re mbetet e ndërlikuar.
Eisenkot, 66 vjeç, drejtoi ushtrinë izraelite nga viti 2015 deri në vitin 2019. Ai lidhet me formulimin e të ashtuquajturës “Doktrina Dahiyeh”, e cila parashikon përdorimin e forcës joproporcionale dhe shkatërrimin e gjerë të infrastrukturës civile në përballjet me grupe si Hezbollahu dhe Hamasi. Ai hyri në politikë në vitin 2022, duke iu bashkuar aleancës “Uniteti Kombëtar” të Benny Gantz, ndërsa pas sulmeve të 7 tetorit u bë pjesë e kabinetit të luftës të formuar nga Netanyahu.
Jeta e tij personale është shënuar edhe nga humbje të rënda familjare. Djali i tij, Gal, dhe një nip humbën jetën në dhjetor të vitit 2023, ndërsa një nip tjetër u vra në nëntor të vitit 2024, gjatë luftës në Gaza. Këto tragjedi kanë ndikuar në krijimin e një lidhjeje më të fortë mes tij dhe qytetarëve të prekur nga pasojat e luftës.
Në qershor të vitit 2024, Eisenkot u largua nga kabineti i luftës së bashku me Gantz, duke kritikuar Netanyahun për mungesën e një strategjie të qartë për përfundimin e konfliktit. Një vit më vonë, ai themeloi partinë “Yashar”, duke mbështetur një qeverisje më profesionale, shërbimin e detyrueshëm ushtarak për të gjithë, përfshirë hebrenjtë ultra-ortodoksë, si dhe krijimin e një komisioni shtetëror hetimor për dështimet e para 7 tetorit.
Netanyahu humbet shumicën, por opozita mbetet e përçarë
Sipas exit-polleve, as Netanyahu dhe as Eisenkot nuk kanë siguruar një rrugë të qartë drejt shumicës parlamentare. Për këtë arsye, pas zgjedhjeve mbeten të mundshme disa skenarë, përfshirë një ngërç politik, një qeveri të pakicës, një koalicion të gjerë ose edhe zgjedhje të reja.
Blloku i Netanyahut, i përbërë nga parti ultra-ortodokse dhe të ekstremit të djathtë, parashikohet të ketë rënë nga 68 në rreth 50 mandate. Partia e tij, “Likud”, pritet të mbetet një nga forcat më të mëdha politike, me rreth 24-25 vende, por larg 61 mandateve të nevojshme për shumicën në parlamentin me 120 vende.
Nga ana tjetër, opozita mund të sigurojë rreth 70 mandate në total, por përçarjet mes partive e bëjnë të vështirë krijimin e një koalicioni funksional. Partia “Yashar” e Eisenkotit parashikohet të marrë 22 mandate, duke u renditur si një nga forcat kryesore të kampit kundërshtar të Netanyahut.
Një nga pengesat kryesore mbetet qëndrimi i partive opozitare ndaj partive arabe. Disa prej drejtuesve të opozitës kanë përjashtuar mundësinë e formimit të një qeverie që varet nga mbështetja e tyre, duke vështirësuar përpjekjet për të larguar Netanyahun nga pushteti.
Pjesëmarrje rekord e votuesve arabë
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm i zgjedhjeve është pjesëmarrja e lartë e qytetarëve arabë të Izraelit, të cilët përbëjnë rreth një të pestën e popullsisë së vendit. Tradicionalisht, ky komunitet ka pasur pjesëmarrje më të ulët në zgjedhje. Në vitin 2022, ajo ishte rreth 53%, ndërsa sipas vlerësimeve paraprake këtë herë mund të ketë kaluar 78%.
Mobilizimi i tyre shihet si një votë proteste kundër qeverisë së Netanyahut dhe aleatëve të tij të ekstremit të djathtë, përfshirë ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, dhe ministrin e Financave, Bezalel Smotrich. Partitë arabe parashikohet të sigurojnë deri në 18 mandate, një përfaqësim rekord që mund të ndikojë ndjeshëm në negociatat për formimin e qeverisë së ardhshme.
Megjithatë, rezultatet e exit-polleve mbeten paraprake dhe tabloja politike mund të ndryshojë gjatë numërimit të votave. Për momentin, dobësimi i bllokut të Netanyahut nuk garanton automatikisht fitoren e opozitës, ndërsa negociatat për krijimin e qeverisë së re pritet të jenë vendimtare për të ardhmen politike të Izraelit.
