Një ngjarje tronditëse ka tronditur Shtetet e Bashkuara, e cila ishte vrasja e komentatorit konservator Charlie Kirk gjatë një aktiviteti në Universitetin e Utah Valley.

Tashmë, autori i dyshuar i kësaj vrasjeje është identifikuar si Tyler Robinson, një 22-vjeçar nga shteti i Utah-ut.

Sipas raportimeve të Daily Mail, Robinson është arrestuar të enjten në mbrëmje në Washington, Utah, rreth 260 milje larg vendngjarjes. Arrestimi ndodhi pasi ai pranoi fajin përpara babait të tij, Matt Robinson, një veteran me 27 vite përvojë në Departamentin e Sherifit të Qarkut Washington. Babai njoftoi menjëherë autoritetet dhe ndihmoi në dorëzimin e djalit.

Robinson, i cili ishte student me bursë në Universitetin Shtetëror të Utah-ut, jetonte në një shtëpi me gjashtë dhoma gjumi me vlerë rreth 600,000 dollarë. Në rrjetet sociale ai shfaqej si pjesë e një familjeje të lidhur ngushtë, me dy vëllezër më të vegjël dhe prindër të përkushtuar nëna e tij, Amber Robinson, punon për një kompani të kontraktuar nga shteti për mbështetje ndaj personave me aftësi të kufizuara.

Megjithëse motivi i plotë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, autoritetet kanë zbuluar detaje të rëndësishme. Guvernatori i Utah-ut, Spencer Cox, deklaroi në një konferencë për shtyp të premten në mëngjes se Robinson kishte shfaqur së fundmi shenja radikalizimi politik dhe kishte shprehur hapur urrejtje ndaj Kirk-ut, duke e përshkruar atë si një figurë “plot urrejtje”.

Detaje të tjera shqetësuese dolën në dritë: gëzhojat e armës së përdorur në vrasje mbanin mesazhe antifashiste, përfshirë referenca ndaj këngës “Bella Ciao” dhe një frazë tallëse “Ti je gej LMAO”. Kjo lë të kuptohet për një motiv të mundshëm politik pas atentatit.

Pamjet e kamerave të sigurisë e treguan të dyshuarin duke u larguar nga vendngjarja menjëherë pas të shtënave, ndërsa fillimisht autoritetet ndaluan disa persona të tjerë, të cilët më pas u liruan.

Kirk u qëllua nga një distancë prej rreth 200 jardësh ndërsa fliste në një aktivitet të organizuar nga Turning Point USA, një lëvizje e njohur konservatore ku ai ishte figurë kryesore. Ai humbi jetën nga një plumb i vetëm, duke u rrëzuar përballë audiencës.