Një deklaratë e fortë vjen nga radhët e ushtrisë amerikane lidhur me vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk, i cili u qëllua për vdekje gjatë një aktiviteti publik në Universitetin e Utah Valley në SHBA, më 10 shtator.
Sipas rreshterit elitar të Ushtrisë Amerikane, Nicholas Ranstad, autori i dyshuar i atentatit nuk ishte një snajper profesionist apo ushtarak i trajnuar, por shumë më tepër një person që ka ushtruar vetë në poligone qitjeje apo përmes simulueseve online.
“Ata ndoshta janë thjesht një person që qëllon në internet, jo një snajper apo një ushtar i stërvitur”, u shpreh Ranstad për Daily Mail.
Ai e konsideron sulmin si të organizuar mirë, por jo të nivelit ushtarak. Sipas tij, personi që qëlloi përfitoi nga një siguri minimale në vendin ku po mbahej eventi dhe nga pozicionimi i hapur i turmës, duke mundësuar një gjuajtje të saktë nga largësi e konsiderueshme.
“Ishte një vend që të jep avantazh. Ai që qëlloi ka pasur fushëpamje të qartë dhe mundësi për t’u larguar pa u zbuluar”, shtoi Ranstad, i cili mban edhe rekordin për qitjen më të gjatë të konfirmuar nga një snajper amerikan në Afganistan.
Sipas ekspertit, të shtënat janë kryer nga më shumë se rreth 180 metra, ndërsa vendndodhja ku ndodhej Kirk përshkruhet si një “akuarium” në mes të ndërtesave dhe kodrave përreth, që e bënte të lehtë për autorin të mbetej i padukshëm.
Nga ana tjetër, policia e Universitetit të Utah Valley konfirmoi se në aktivitetin ku u vra Kirk ishin të pranishëm mbi 3,000 qytetarë, ndërsa sigurimi përbëhej nga oficerë të armatosur dhe pjesëtarë të stafit të sigurisë personale të Kirkut. Megjithatë, kjo nuk mjaftoi për të parandaluar atentatin.