Thuhet se ai është transferuar në një bunker nëntokësor. Ndoshta në Levizan, në verilindje të Teheranit. «Nuk është në Teheran», ka thënë një zyrtar iranian për Reuters, «dhe ndodhet në një vend të sigurt». Së bashku me Ali Khamenei në strehë mund të jenë edhe anëtarë të familjes së tij. Edhe pse nuk dihet se ku mund të ndodhet djali i tij i preferuar, i dyti, Mojtaba, i konsideruar si pasardhësi i mundshëm.

Ka ankth në rrethin e ngushtë të njeriut që prej 37 vitesh drejton dhe shtyp Iranin. Pas “luftës 12-ditore” disa muaj më parë, ai përballet sërish me një sulm të përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, objektivat e të cilit u shpallën nga Trump në një video në Truth Social: «Regjimi nuk do ta ketë kurrë armën atomike. Ky operacion është për të mbrojtur popullin amerikan nga kërcënimet e Teheranit, i cili ka tentuar të rindërtojë programin e tij atomik dhe po zhvillonte raketa balistike me rreze të gjatë, të afta të arrijnë Shtetet e Bashkuara. Do të godasim objektiva të regjimit dhe ushtarake, do të shkatërrojmë raketat e tyre, do të rrafshojmë strukturat e prodhimit të armëve dhe do të asgjësojmë flotën e tyre detare».

Objektiva që nuk përfshijnë – në mënyrë të qartë – eliminimin e tij. Por që lënë të kuptohet se, mes objektivave përfundimtarë, mund të jetë edhe vrasja e tij, ndonëse për momentin kjo mbetet vetëm hipotezë. Që nga vrasja e Hassan Nasrallah, liderit të Hezbollahut libanez, masat e sigurisë rreth ajatollahut janë forcuar ndjeshëm. Mbrojtja e Khameneit i është besuar një aparati të drejtuar nga Pasdaranët e Gardës Revolucionare Islamike, përmes një njësie speciale të quajtur “Vali Amr Protection Corps”. «Askush nuk i beson më askujt», ka thënë një burim, «është e qartë se Mossadi është infiltruar edhe mes njerëzve të tij më besnikë».

Khamenei nuk ka dalë nga Irani që nga viti i largët 1989, kur u shpall udhëheqës suprem. «Ishte surprizë» kur ai mori drejtimin pas vdekjes së themeluesit të Republikës Islamike, Ruhollah Khomeini, ka treguar për Corriere Gary Sick, ish-negociatori kryesor i Shtëpisë së Bardhë gjatë krizës së pengjeve të vitit 1979. «Ai ishte funksionar i lartë në Këshillin Revolucionar dhe kishte mbajtur poste kyçe, përfshirë zv.ministër i Mbrojtjes, por nuk ishte ndër figurat kryesore të revolucionit. Ishte klerik, por shumë klerikë të rangut të lartë nuk e konsideronin të kualifikuar për presidencën apo për të zëvendësuar Khomeinin».

Megjithatë, Khamenei shërbeu si president për dy mandate duke nisur nga viti 1981 dhe në 1989 u bë Udhëheqës Suprem pas një ndryshimi kushtetues. «Dhe menjëherë e quajtën ajatollah, edhe pse nuk ishte». Në fakt ishte hojatoleslam, një gradë më e ulët fetare. Kritikët e kanë tallur me nofkën “Shish Kelaseh” – “gjashtë klasë shkollë”.

Ai nuk ka karizmën e Khomeinit, por ka arritur të ruajë pushtetin dhe “flakën” e revolucionit islamik falë aleancës me konservatorët dhe Gardën Revolucionare. «Kur u bë lider në 1989, ai hapi derën për Gardën Revolucionare në ekonomi dhe politikë, sidomos për të kundërshtuar lëvizjen reformiste», ka thënë Mohsen Sazegara, ish-reformist i burgosur që jeton në SHBA që nga 2003. Që atëherë, Udhëheqësi dhe Pasdaranët janë mbështetur tek njëri-tjetri. «Në këtë rrugë, Khamenei e ka shndërruar Iranin në një lloj diktature që edhe vetë shahu do ta kishte ëndërruar», ka deklaruar Sick.

Me origjinë azere, në rini ajatollahu shkruante poezi, vishej thjeshtë dhe fliste për dashurinë e tij për letërsinë. Është i martuar me Mansoureh Khojasteh Bagherzadeh dhe ka gjashtë fëmijë: katër djem dhe dy vajza. Njihet për një stil jetese të thjeshtë dhe asketik dhe thuhet se urren luksin. Ka një krah pjesërisht të paralizuar pas një atentati në vitin 1981 dhe në 2014 i mbijetoi kancerit. Sipas rrëfimeve, ai refuzon dhuratat e çmuara ose i shet dhe të ardhurat i dhuron për nevojtarët.

Ideologjikisht, Khamenei paraqitet si mbrojtës i vlerave të revolucionit islamik: drejtësia sociale, pavarësia kombëtare dhe qeverisja islame. Por modeli i tij real është autoritar dhe represiv, me qëllim mbijetesën e regjimit. Regjimi ka burgosur, torturuar dhe vrarë forma të ndryshme të kundërshtimit, si në vitin 2009 me Lëvizjen e Gjelbër, ashtu edhe në vitin 2023 me protestat “Grua, Jetë, Liri”, ku u burgosën mbi 20 mijë persona dhe u vranë rreth 500.

Nëse mes objektivave të Trumpit dhe Netanyahut është edhe eliminimi i Udhëheqësit Suprem, bëhet e rëndësishme të mendohet për skenarët pas Khameneit. Prej vitesh qarkullon emri i djalit të tij të dytë, Mojtaba, si pasardhës i mundshëm. Vrasja e liderit mund të shkaktojë përplasje të brendshme dhe kaos, me pasoja edhe për rajonin, për shkak të ndikimit iranian në Siri, Liban, Irak dhe Jemen.

Nuk përjashtohet një grusht shteti ushtarak, një luftë civile ose një revolucion popullor. Reformistët mund të përpiqen të marrin pushtetin, ose mund të rikthehet një figurë nga diaspora, si princi Reza Pahlavi, i cili muajt e fundit ka deklaruar disa herë: «Jam në dispozicion të popullit tim».