Të shtunën, Londra u bë skena e një prej tubimeve më të mëdha të ekstremit të djathtë në dekadat e fundit, i organizuar nga aktivisti britanik dhe kritiku i imigracionit Tommy Robinson. Demonstrata, e cilësuar si marshim për “lirinë e fjalës” nën moton “Bashkoni Mbretërinë”, mblodhi figura të krahut të djathtë nga vende të ndryshme evropiane, mes tyre edhe eurodeputeti gjerman Petr Bystroň nga partia AfD. Përveç marshimit në qendër të Londrës, u zhvillua edhe një tubim pranë zonës qeveritare, raportoi Deutsche Welle.
Protestat dhe pjesëmarrja
Sipas Policisë Metropolitane, në protesta morën pjesë mes 110,000 dhe 150,000 persona. Atmosfera ishte përgjithësisht paqësore, megjithëse pati përplasje me policinë dhe disa arrestime. Demonstruesit mbanin flamuj anglezë dhe britanikë, ndërsa pankartat kërkonin politika më të ashpra kundër emigracionit të paligjshëm, me slogane si “Ndaloni anijet” dhe “Kthejini në shtëpi”. Një tjetër temë e marshimit ishte edhe vrasja e aktivistit amerikan të djathtë, Charlie Kirk, në nder të të cilit u mbajtën pankarta me mesazhe si “Liria e fjalës ka vdekur. Pusho në paqe, Charlie Kirk”. Mbështetësit e Robinson gjithashtu kënduan slogane fyese ndaj kryeministrit Keir Starmer, duke kërkuar dorëheqjen e tij.
Pjesëmarrja e Musk
Robinson u lidh në mënyrë virtuale me pronarin e Tesla-s dhe platformës X, Elon Musk, i cili këtë vit ka ndërhyrë disa herë në debatin politik britanik. Musk foli për “shkatërrimin e ngadaltë, e më pas të përshpejtuar të Britanisë për shkak të migrimit masiv të pakontrolluar”, duke akuzuar gjithashtu BBC-në se po kontribuon në këtë proces.
Tommy Robinson (emri i vërtetë Stephen Yaxley-Lennon), i njohur për qëndrimet e tij të ashpra kundër emigracionit dhe Islamit, është një figurë shumë e diskutueshme në Britani. Ai ka përdorur disa pseudonime, ka themeluar Ligën e Mbrojtjes Angleze dhe ka qenë përkohësisht nënkryetar i një partie të ekstremit të djathtë. Robinson ka disa dënime për dhunë, mashtrim dhe shpifje, por mbetet një figurë me ndikim të madh në rrjetet sociale.
Kriza e Keir Starmer
Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer përballet me një krizë politike të thellë. Tabloidët dhe kundërshtarët politikë e kanë quajtur “Keir i Fatkeqësisë”, ndërsa The Guardian shkruan se “koha po mbaron” për të. Pas një “viti të parë katastrofik në qeveri”, Starmer përballet me pakënaqësi brenda Partisë Laburiste, ku disa deputetë po diskutojnë hapur mundësinë e rrëzimit të tij.
Pavarësisht angazhimit të tij në mbështetje të Ukrainës dhe përpjekjeve për të forcuar rolin e Britanisë në mbrojtjen evropiane, ai shihet si i dobët brenda vendit dhe i shkëputur nga votuesit. Sondazhet e fundit tregojnë se është tejkaluar nga Nigel Farage, ndërsa Laburistët po humbasin terren. Projektligji i buxhetit në nëntor dhe zgjedhjet lokale të majit 2026 mund të rezultojnë vendimtare për fatin politik të Starmer.