Edhe pse Emmanuel Macron ka pothuajse një dekadë në qendër të vëmendjes dhe në postin më të lartë të vendit të tij, edhe vetë francezët dinë pak gjëra për vëllain e tij më të vogël, Laurent Macron. Ai ka zgjedhur rrugën e shkencës, në vend të politikës dhe me vetëdije qëndron larg vëmendjes publike.
Derisa një postim në Twitter e solli në qendër të interesit: “Zbulova vëllain e Macron dhe u ‘trondita’”, shkruante me humor një përdorues.

I lindur në vitin 1979, dy vite pas vëllait të tij, ai studioi mjekësi duke ndjekur gjurmët e prindërve. Sot është kardiolog me specializim në imazherinë kardiake, një nga më të mirët në këtë fushë në Francë. Babai i tij, Jean-Michel Macron është neurolog, ndërsa nëna e tij, Françoise Noguès-Macron, gjithashtu mjeke. Ata kanë edhe një vajzë, Estelle Macron, e lindur në vitin 1982, e cila është nefrologe.
Laurent Macron shfaqet rrallë në publik së bashku me vëllain e tij. Janë të pakta rastet kur ai ka marrë pjesë në pritje në Élysée Palace. Në vitin 2024, për shembull, ai mori pjesë me bashkëshorten e tij, Sabine Aimont, gjinekologe dhe obstetër, në një darkë zyrtare në nder të ish-presidentit amerikan Joe Biden. Madje, sipas raportimeve të mediave franceze, ai nuk e shfrytëzon lidhjen familjare me presidentin francez dhe, për arsye diskrecioni, ndonjëherë prezantohet si një kushëri i largët i tij.
Me bashkëshorten kanë tre fëmijë: djemtë binjakë, Lui dhe Marko, si dhe vajzën, Romanë.


