Prokuroria e Parisit ka nisur një hetim për kërcënime me vdekje ndaj ish-presidentit francez, Nicolas Sarkozy, pas një videoje të publikuar në internet.
Në video, një i burgosur në burgun La Santé, një nga institucionet më të njohura të Parisit, dëgjohet duke kërcënuar Sarkozy-n gjatë mbërritjes së tij në këtë burg, ku ish-presidenti ka nisur vuajtjen e dënimit për financim të paligjshëm të fushatës së tij elektorale.
Sipas prokurorisë, më 22 tetor 2025, drejtori i burgut La Santé e njoftoi për ekzistencën e videos, që kishte qarkulluar në rrjetet sociale, ku i burgosuri kërcënonte ish-presidentin.
Pas incidentit, tre të burgosur janë marrë në pyetje dhe dy telefona celularë janë sekuestruar gjatë kontrollit në burg. Të burgosurit e përfshirë janë vënë nën mbikëqyrje të shtuar policore për të siguruar hetimin dhe ruajtjen e rendit në burg. Hetimet janë ende në vazhdim.