Pavarësisht ndikimit të fortë global që kanë pasur tarifat e vendosura prej tij, Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet se është i hapur për negociata me vendet e tjera. Ai ka theksuar se kjo mundësi do të varet nga ajo që këto vende mund të ofrojnë në këmbim, duke e cilësuar si “të jashtëzakonshme”.

Duke folur me gazetarët në bordin e “Air Force One”, Trump u shpreh:
“Tarifat na japin një fuqi të madhe për të negociuar. Çdo vend na ka telefonuar.”
Sipas tij, për të shqyrtuar tërheqjen nga tarifat, do të nevojitej një “pakt shumë i mirë” për SHBA-në, duke përsëritur qëndrimin se vendet e tjera kanë përfituar për shumë kohë në dëm të ekonomisë amerikane.

Në këtë kontekst, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të enjten se i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës ta pezullojë tarifën doganore prej 10 për qind për mallrat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Osmani theksoi se një hap i tillë do të dërgonte një mesazh të qartë për përkushtimin e Kosovës ndaj forcimit të marrëdhënieve me SHBA-në:
“Kjo tregon që Kosova ka vizion të qartë për një partneritet më të fuqishëm, më të sigurt dhe më të begatë me Shtetet e Bashkuara.”

Kombinimi i sinjaleve të hapura nga Trump për negociata dhe hapat diplomatikë të Kosovës mund të krijojë një moment të ri në marrëdhëniet tregtare dhe politike ndërmjet dy vendeve.