Inxhinierja gjermane Michaela Benthaus shënoi histori të shtunën, duke u bërë personi i parë me paraplegji që udhëton në hapësirë. Kjo u realizua përmes një udhëtimi të shkurtër suborbital, organizuar nga kompania e turizmit hapësinor e miliarderit amerikan Jeff Bezos, Blue Origin.

Anija kozmike “New Shepard NS-37” u nis nga një pronë e Bezos në Teksasin Perëndimor në orën 8:15 të mëngjesit me orën lokale (14:15 UTC). Ky udhëtim, që zgjati rreth 11 minuta, arriti një lartësi prej afërsisht 100 kilometrash (rreth 62 milje). 

Inxhinierja ka treguar se dikur nuk e kishte menduar seriozisht hapësirën si diçka të arritshme për persona me aftësi të kufizuara, teksa shtoi se eksperienca ishte intensive, por emocionuese, duke e përshkruar ngritjen si pjesën më mbresëlënëse.

Benthaus pësoi dëmtim të palcës kurrizore në vitin 2018 pas një aksidenti me biçikletë dhe që prej asaj kohe përdor karrocë.

Përmes këtij udhëtimi, Benthaus synon të kontribuojë në përmirësimin e aksesit në hapësirë dhe po mbledh fonde për kërkime mbi dëmtimet e palcës kurrizore, duke frymëzuar miliona njerëz në mbarë botën.