Parlamenti i Portugalisë ka miratuar një projektligj që ndalon veshjen e burkës dhe hixhabit në hapësirat publike, me arsyetimin se ato bien ndesh me parimet e barazisë dhe dinjitetit njerëzor.

Nisma u propozua nga partia e ekstremit të djathtë “Chega” (Mjaft) dhe synon ndalimin e mbulesave që fshehin plotësisht fytyrën, si burka (që mbulon trupin nga koka te këmbët) dhe hixhabi (velloja që mbulon fytyrën). Sipas ligjit, përjashtime do të lejohen në avionë, objekte diplomatike dhe vendet e kultit fetar.

Projektligji parashikon gjobë nga 200 deri në 4,000 euro për shkelësit dhe tani pret nënshkrimin e Presidentit Marcelo Rebelo de Sousa, i cili mund ta ratifikojë, ta kthejë për rishqyrtim në parlament, ose ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.

Nëse hyn në fuqi, Portugalia do t’u bashkohet vendeve si Franca, Belgjika, Austria dhe Holanda, të cilat tashmë kanë ndalime të ngjashme për mbulesat e fytyrës në publik.

Në argumentimin e saj, partia Chega tha se mbulimi i fytyrës e vendos individin, veçanërisht gruan, në një pozicion përjashtimi dhe nënshtrimi, gjë që bie ndesh me vlerat e lirisë dhe barazisë.

Por ligjvënësit e krahut të majtë kundërshtuan ashpër. Deputeti i Partisë Socialiste, Pedro Delgado Alves, u shpreh se nisma “synon në mënyrë selektive të huajt dhe besimtarët e feve të tjera”. Ai shtoi se “asnjë grua nuk duhet të detyrohet të mbajë vello”, por mënyra si e trajton këtë çështje e djathta ekstreme “është e gabuar dhe diskriminuese”.