Autoritetet shëndetësore në Indi janë vënë në alarm pas shfaqjes së rasteve të reja me virusin Nipah, një patogjen i rrezikshëm zoonotik që transmetohet nga kafshët te njerëzit dhe që, sipas ekspertëve, mbart rrezik real për përhapje të gjerë epidemike.
Rastet e fundit janë identifikuar në Bengalin Perëndimor, në zonat përreth Kalkutës, një nga metropolet më të mëdha të vendit. Zbulimi i infeksioneve ka detyruar autoritetet të ndërmarrin masa të menjëhershme, përfshirë gjurmimin e kontakteve dhe vendosjen në karantinë të personave me rrezik të lartë.
Sipas burimeve zyrtare, këtë javë janë konfirmuar tre raste të reja, mes tyre profesionistë të sistemit shëndetësor – një mjek, një infermiere dhe një punonjës tjetër shëndetësor – çka ka shtuar shqetësimin për transmetim brenda ambienteve spitalore. Disa prej të infektuarve ndodhen në gjendje kritike, ndërsa një infermiere raportohet se ka rënë në koma pas përkeqësimit të shpejtë të simptomave.
Dyshohet se infektimi ka ndodhur gjatë kujdesit ndaj një pacienti me probleme të rënda respiratore, i cili ndërroi jetë para se të mund të konfirmohej diagnoza. Deri tani, autoritetet kanë testuar rreth 180 persona dhe kanë izoluar dhjetëra kontakte të afërta, në përpjekje për të frenuar përhapjen e mëtejshme.
Virusi Nipah transmetohet kryesisht nga lakuriqët e natës – të cilët konsiderohen strehuesit natyrorë – ose nga derrat e infektuar, por në disa raste është konfirmuar edhe kalimi nga njeriu te njeriu. Infeksioni mund të nisë pa simptoma të dukshme, por përparon me shpejtësi drejt problemeve të rënda të frymëmarrjes dhe inflamacionit të trurit, duke çuar në koma brenda pak ditësh.
Shkalla e vdekshmërisë nga Nipah vlerësohet shumë e lartë, nga 40 deri në 75 për qind, ndërsa aktualisht nuk ekziston as vaksinë dhe as trajtim specifik.
Për shkak të rrezikshmërisë së tij, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka renditur Nipah si patogjen prioritar dhe ka bërë thirrje për kërkime urgjente shkencore, përfshirë zhvillimin e vaksinave për njerëzit dhe kafshët.
Ekspertët paralajmërojnë se shtimi i rasteve lidhet edhe me ndërhyrjen e njeriut në habitatet natyrore dhe ndryshimet mjedisore, të cilat rrisin rrezikun e sëmundjeve zoonotike – një fenomen që ka marrë vëmendje të veçantë pas pandemisë së Covid-19.
India ka raportuar raste sporadike të virusit Nipah për më shumë se 20 vjet, veçanërisht në shtetin Kerala, ku janë shënuar edhe dhjetëra vdekje që prej vitit 2018. Virusi u identifikua fillimisht në Malajzi dhe Singapor në vitin 1999, ku preku fermerët e derrave, përpara se të shfaqej në vende të tjera të Azisë Jugore.
Autoritetet këshillojnë shmangien e kontaktit me lakuriqët e natës dhe derrat, si dhe konsumimin e ushqimeve të papërpunuara që mund të jenë kontaminuar. Deri tani, nuk ka raportime për përhapje të virusit jashtë Indisë.
