Alarm shëndetësor në Republika Demokratike e Kongos, ku autoritetet kanë konfirmuar një shpërthim të ri të Ebola në provincën Ituri, në verilindje të vendit.

Sipas Africa CDC, situata ka nxitur një mobilizim urgjent rajonal, ndërsa është thirrur një takim emergjent me autoritetet e Kinshasës dhe përfaqësues nga Uganda dhe Sudani i Jugut për të koordinuar reagimin ndaj përhapjes së virusit.

Instituti Kombëtar për Kërkime Biomjekësore në Kinshasa bëri të ditur se 13 nga 20 mostrat e testuara kanë rezultuar pozitive me Ebola. Deri tani raportohen rreth 246 raste të dyshuara dhe 65 viktima, megjithëse autoritetet thonë se shifrat janë ende paraprake.

Zonat Mongualu dhe Ruabara janë identifikuar si vatrat kryesore të infeksionit, ndërsa raste të dyshuara janë raportuar edhe në qytetin e Bunia, duke shtuar frikën për përhapje më të gjerë.

Autoritetet shëndetësore, në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, kanë nisur izolimin e rasteve, gjurmimin e kontakteve dhe forcimin e kontrolleve kufitare për të parandaluar përhapjen e virusit në rajon.

Ekspertët paralajmërojnë se situata mbetet delikate për shkak të sistemeve të dobëta shëndetësore dhe lëvizjeve të shpeshta të popullsisë mes vendeve të Afrikës Qendrore.