Italia mund të përballet me zhvillime të rëndësishme politike gjatë pranverës së ardhshme, ndërsa në qarqet qeveritare po diskutohet mundësia e përfundimit të parakohshëm të mandatit të kryeministres Giorgia Meloni.
Sipas një artikulli të publikuar nga gazeta italiane La Repubblica, kreu i qeverisë italiane po shqyrton një skenar që parashikon dorëheqjen në mars të vitit 2027, duke krijuar kushtet për organizimin e zgjedhjeve parlamentare përpara afatit të zakonshëm.
Hipoteza mësohet se është diskutuar gjatë takimeve të fundit të Melonit me drejtuesit kryesorë të shumicës qeverisëse, përfshirë Antonio Tajanin, Matteo Salvinin dhe Maurizio Lupin.
Në qendër të këtij skenari është samiti i Këshillit Evropian që pritet të mbahet në Romë, me rastin e 70-vjetorit të nënshkrimit të Traktateve të Romës.
Sipas gazetës italiane, ky aktivitet mund të përfaqësojë angazhimin e fundit të madh ndërkombëtar të Melonit përpara një lëvizjeje të mundshme politike që do të çonte drejt zgjedhjeve të reja.
Pas samitit, kryeministrja mund të paraqesë dorëheqjen dhe të hapë rrugën për konsultime institucionale lidhur me shpërndarjen e Parlamentit. Vendimi për shpërndarjen e dhomave parlamentare i takon Presidentit të Republikës, sipas procedurave kushtetuese.
Zgjedhjet mund të mbahen në maj ose qershor
Nëse ky skenar do të konkretizohej, data 16 maj 2027 përmendet si një nga mundësitë e para për zhvillimin e votimeve.
Megjithatë, sipas raportimit, një alternativë që po merret në konsideratë është organizimi i zgjedhjeve parlamentare në të njëjtën ditë me ato vendore, gjatë muajit qershor.
Një zgjidhje e tillë do të mundësonte bashkimin e dy proceseve zgjedhore dhe do ta çonte Italinë drejt kutive të votimit disa muaj përpara përfundimit të legjislaturës aktuale, e cila normalisht mbyllet në vjeshtën e vitit 2027.
Pavarësisht këtyre raportimeve, përfaqësuesit e koalicionit qeverisës vazhdojnë të këmbëngulin publikisht se zgjedhjet e përgjithshme do të zhvillohen sipas kalendarit të zakonshëm.
Deri më tani, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar se Giorgia Meloni ka vendosur të largohet nga drejtimi i qeverisë apo të kërkojë një përfundim të parakohshëm të mandatit.
Lëvizje brenda koalicionit për zgjedhjet lokale
Ndërkohë, partitë e shumicës së djathtë kanë intensifikuar përgatitjet për zgjedhjet vendore që pritet të zhvillohen në disa prej qyteteve më të rëndësishme të Italisë.
Roma, Milano, Napoli, Torino dhe Bolonja janë ndër qendrat kryesore ku pritet një përballje e fortë elektorale.
Diskutimet për emrat e kandidatëve kanë nxjerrë në pah nevojën për marrëveshje mes forcave politike të koalicionit, të cilat synojnë të paraqiten me kandidatura të përbashkëta në garat më të rëndësishme.
Nëse zgjedhjet vendore do të përkonin me ato parlamentare, kjo do të ndryshonte ndjeshëm kalendarin politik të vendit dhe mënyrën e organizimit të fushatës.
Për momentin, gjithçka mbetet në nivelin e një skenari të raportuar nga shtypi italian. Muajt në vijim pritet të tregojnë nëse Meloni do të vijojë qeverisjen deri në përfundim të mandatit apo Italia do të përgatitet për një tjetër përballje elektorale të parakohshme.
