Papa Françesku ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në moshën 88-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga kardinali Kevin Farrell përmes një deklarate zyrtare të lëshuar nga Vatikani.
Sipas njoftimit, Papa Françesku ndërroi jetë në orën 7:35 të mëngjesit, pas një jete të përkushtuar ndaj shërbimit të Zotit dhe Kishës Katolike. Ai shërbeu si peshkop i Romës dhe udhëhoqi Kishën Katolike që nga viti 2013, pas dorëheqjes së paraardhësit të tij, Papa Benedikti XVI.
“Me dhimbje të thellë më duhet të njoftoj vdekjen e Atit tonë të Shenjtë Françesku. Ai na mësoi të jetojmë vlerat e Ungjillit me besnikëri, guxim dhe dashuri universale, veçanërisht për më të varfërit dhe të margjinalizuarit,” deklaroi kardinali Farrell. “Me mirënjohje të pamasë për shembullin e tij si dishepull i vërtetë i Zotit Jezus, ne ia dorëzojmë shpirtin e tij dashurisë së pafundme të Zotit Një dhe Triuni.”
Papa Françesku, i njohur për përkushtimin ndaj drejtësisë sociale, dialogut ndërfetar dhe mbrojtjes së të varfërve, do të mbahet mend si një nga figurat më frymëzuese të kohës moderne në udhëheqjen shpirtërore dhe morale të botës.
