Moska kundërshton ngrirjen e aseteve të saj në Europë


MoskaMinistri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, tha dje se konfiskimi i aseteve shtetërore ruse në Belgjikë dhe vendeve të tjera europiane është një “shkelje e rëndë e të gjitha konventave të Vjenës për marrëdhëniet diplomatike”. Lavrov foli dje nga Shën Petërburgu, një ditë pas zhvillimit të Forumit Ekonomik Rus. Të enjten, llogari bankare ruse në Francë dhe në Belgjikë u ngrinë si pjesë e një përpjekjeje për të zbatuar një vendim gjyqësor për një kompensim prej 50 miliardë dollarësh të aksionerëve amerikanë të kompanisë së naftës Yukos, tashmë e falimentuar. Presidenti rus, Vladimir Putin, u mundua të mos i japë shumë rëndësi konfiskimit dhe shtoi se Rusia do ta kundërshtojë. Putin mendon se Gjykata e Arbitrazhit në Hagë, e cila dha këtë vendim vitin e kaluar, nuk ka juridiksion në Rusi.


 


Turqia përplaset me Belgjikën për “gjenocidin armen”


Ankaraja zyrtare ka reaguar dje në lidhje me deklaratat e Kryeministrit belg, Charles Michel, i cili bëri thirrje që masakrat e Perandorisë Osmane gjatë Luftës së Parë Botërorë ndaj popullit armen, të njihen si gjenocid. Michel, që është Kryeministri më i ri në historinë e Belgjikës, këto deklarata i bëri gjatë një seance parlamentare të së mërkurës, duke këmbëngulur se masakrat e vitit 1995 “duhet të trajtohen si gjenocid”. Në një letër të Ministrisë së Jashtme të Turqisë, thuhet se deklaratat e Kryeministrit belg “janë të papranueshme dhe të pafalshme”, duke shtuar se dëshiron që ta politizojë këtë çështje. Ministria e Jashtme turke kërkoi që të mos shtrembërohen faktet, sepse ndryshe mund të ketë pasoja në marrëdhëniet diplomatike mes Turqisë dhe Belgjikës.


Arrestohet në Gjermani gazetari i “Al-Jazeera”-s


Një gazetar i rrjetit televiziv “Al-Jazeera” është arrestuar dje në Gjermani pas një urdhërarresti të lëshuar nga autoritetet egjiptiane. Ahmed Mansour, i cili punon për shërbimin në gjuhën arabe të televizionit, u arrestua në Aeroportin e Berlinit teksa do të nisej për në Katar. Sipas një zyrtari të policisë gjermane, ndalimi i Mansour është bërë pas lëshimit të një urdhërarresti ndërkombëtar nga Egjipti. Vitin e kaluar, një gjykatë në kryeqytetin e Egjiptit e dënoi atë me 15 vjet burg në mungesë, pasi akuzohet për tortura. Televizioni “Al-Jazeera” reagoi menjëherë për rastin, duke i cilësuar si absurde akuzat e ngritura ndaj gazetarit të tyre, i cili ka shtetësi të dyfishtë, egjiptiane dhe britanike. “Jam ende në Aeroportin e Berlinit ku jam ndaluar nga policia, në pritje për të dalë para trupit gjykues”, shkroi në “Twitter” gazetari 52-vjeçar.


 


Indi: Rritet numri i viktimave nga alkooli i prishur


Policia në kryeqytetin financiar të Indisë, Mumbai, ka njoftuar dje se të paktën 94 njerëz kanë humbur jetën nga helmimi me alkool të prishur dhe se 45 të tjerë janë të shtruar ndërkaq në spital. Zëvendëskomisari i policisë, Dhananjay Kulkarni, tha dje se numri i të vdekurve mund të pësojë rritje. Viktimat e para janë regjistruar qysh të enjten. Pesë njerëz po mbahen në paraburgim, për shkak të shitjes së alkoolit të palicencuar në zona të varfra të qytetit. Vdekjet nga alkooli i paligjshëm janë të shpeshta në Indi, pasi të varfrit nuk mund t’i përballojnë pijet e licencuara.