Natyra: Tornado godet Nju Jorkun “si një tren”
Dy tornado të rralla goditën qytetin e Nju Jorkut duke shkaktuar dëme në lagjet “Kuins” dhe “Bruklin”, ndërsa xhamat u thyen dhe energjia elektrike u ndërpre. Stuhia e parë pati erë me shpejtësi deri 113 kilometra në orë dhe u përplas mbi “Kuins”. Tornadoja e dytë, me erë deri në 160 kilometra në orë, goditi Bruklinin pak minuta më vonë. Nuk pati të plagosur, por policia urdhëroi evakuimin e tifozëve në një stadium, ndërsa pemët u shkulën nga rrënjët dhe stolat e parkut fluturuan.
Shansi: Blen pikturë të Renoir për 50 dollarë
Një pikturë e blerë në një treg vjetërsirash në SHBA rezultoi se është një vepër e rrallë e mjeshtrit francez Pierre-Auguste Renoir. Piktura qe në një arkë që një grua e bleu te tregu i vjetërsirave. Në arkë përfshihej edhe një kukull lopë prej plastike. Gruaja e dërgoi pikturën te një shtëpi ankandesh arti në Virxhinia ku ekspertët thanë se besonin se ishte vepra “Paysage Bords de Seine” – një skenë nga lumi, e pikturuar nga artisti i madh më 1879. Shtëpia e ankandit tha se mund të shitet për 100 mijë dollarë. Besohet se piktura u ble në një galeri të Parisit, më 1926.
Nikaragua: Banorët arratisen nga hiri i vullanit
Qeveria e Nikaraguas njoftoi se rreth 3 mijë njerëz u evakuuan nga zonat pranë vullkanit San Kristobal, nga ku po del hi dhe gaz. Ushtarët u dërguan në zonë, pasi qeveria urdhëroi largimin e popullsisë. Vullkani filloi të nxjerrë llavë, hi dhe gaz ditën e shtunë, ndërsa banorët dëgjuan shpërthime të fuqishme.
Rreth 20 mijë njerëz janë prekur sakaq nga shpërthimi. Autoritetet besojnë se mund të ketë më shumë gaz dhe shpërthime sporadike. Vullkani është i lartë 1745 metra dhe është më aktivi në brigjet e Paqësorit.