Dy herë në vit, rruga Bergognone në Milano që zakonisht është e qetë, mbyllet për shkak të turmave të Javës së Modës që shkojnë në Teatro Armani. Selia e Giorgio Armani që prej viteve 2000 ka një skenë ku çdo sezon krijohet një pasarelë.
Të premten, turna u mblodh sërish, por atmosfera qe e zymtë, shkruan The Guardian. Dhjetëra njerëz erdhën për t’i bërë nderet e fundit stilistit vizionar Giorgio Armani, i cili ndërroi jetë të enjten në moshën 91-vjeçare.
Shtëpia e modës njoftoi se do të vendoste një dhomë funerali në degën kryesore duke u lënë njerëzve mundësinë të shihnin arkivolin dhe të bënin homazhet e tyre nga e shtuna deri të dielën. Sipas dëshirës së Armani, funerali i së hënës do të jetë privat. Në rrugë po vendosen barriera dhe pritet të krijohen radhë të gjata.
Në modën italiane, Armani quhej “mbret” ose “mjeshtër”. Rrugëtimi i tij nga Piacenza e viteve të luftës në një ikonë botërore ishte i admirueshëm. Nga moda, bukuria, hotelet e çokollatat, ai lë pas një perandori me vlerë mbi 9 milionë paund.
Dyqanet Armani në Milano janë mbyllur dhe do të qëndrojnë ashtu deri në përfundim të funeralit. Dyqanet në Londër do të mbyllen në orën 2 të pasdites të së hënës.
Edhe pse stilisti nuk ka qenë i pranishëm në tri sfilatat e fundit për shkak të sëmundjes, pritej që ai të merrte pjesë në sfilatën e 50-vjetorit të kompanisë, e cila do të mbyllë Javën e Modës në Milano. Ai duhej të merrte pjesë edhe në një ekspozitë në Pinacoteca di Brera ku do të shfaqeshin mbi 150 fustane nga arkiva dhe do të ishte hera e parë që një muze realizon një ekspozitë mode të dedikuar ndaj një stilisti. Të dyja ngjarjet do të vijojnë.