Një skenë e pazakontë për diplomacinë ndërkombëtare është parë këtë të hënë në Nairobi, ku presidenti francez Emanuel Makron la mënjanë kostumin zyrtar dhe u shfaq me veshje sportive duke vrapuar në rrugët e kryeqytetit kenian përkrah legjendës së maratonës, Eliud Kipçoge.

Makron ndodhet në Kenia në kuadër të samitit “Afrika Përpara” dhe e nisi ditën me një stërvitje të lehtë mëngjesi së bashku me kampionin kenian, i konsideruar si një nga vrapuesit më të mëdhenj të historisë së maratonës.

I shoqëruar nga sportistë të tjerë dhe forcat e sigurisë presidenciale, presidenti francez u filmua duke vrapuar në një atmosferë më të lirshme nga protokollet tradicionale shtetërore. Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe morën vëmendje të madhe nga mediat ndërkombëtare.

Samiti dyditor në Nairobi mbledh liderë politikë, investitorë dhe përfaqësues të inovacionit nga Afrika dhe Europa, me fokus te bashkëpunimi ekonomik, energjia e gjelbër, infrastruktura, teknologjia dhe arsimi.

Në kuadër të vizitës, Franca dhe Kenia kanë nënshkruar gjithashtu disa marrëveshje bashkëpunimi në fusha si transporti, energjia e rinovueshme, transformimi digjital dhe bujqësia, me synim forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.