Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u kërkoi banorëve të Gazës të largohen menjëherë, pasi ushtria izraelite ka rritur ndjeshëm bombardimet në këtë zonë, në përgatitje për marrjen e kontrollit të plotë të saj. Thirrja vjen mes shqetësimeve ndërkombëtare dhe apelimeve të vazhdueshme nga shtetet perëndimore dhe agjencitë humanitare që Izraeli të ndalë ofensivën.

Sipas autoriteteve lokale, vetëm më 8 shtator u vranë të paktën 39 palestinezë, përfshirë 25 në Qytetin e Gazës.


Sulmi në Jerusalem

Vetëm disa orë para paralajmërimit të Netanyahut, në Jerusalem ndodhi një nga sulmet më të rënda kundër civilëve që nga fillimi i luftës më 2023. Dy palestinezë hapën zjarr brenda një autobusi, duke vrarë gjashtë persona. Sulmuesit u qëlluan për vdekje nga policia izraelite dhe një civil i armatosur. Netanyahu reagoi menjëherë, duke theksuar: “Këta vrasës vetëm e forcojnë vendosmërinë tonë për të luftuar terrorizmin.”


Përpjekjet diplomatike

Paralelisht me përshkallëzimin e luftimeve, presidenti amerikan Donald Trump tha se një marrëveshje për Rripin e Gazës mund të jetë afër, duke synuar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi. Ai theksoi se Izraeli ka pranuar kushtet e tij dhe i bëri thirrje Hamasit t’i pranojë menjëherë, duke e cilësuar këtë si “paralajmërimin e fundit”.

Hamasi deklaroi më pas se është i hapur për negociata mbi “idetë amerikane” për një armëpushim. Një marrëveshje e mëparshme parashikonte ndaljen e luftimeve për 60 ditë dhe lirimin e pengjeve, por Tel Avivi kërkon lirimin e menjëhershëm të tyre dhe çarmatosjen e grupit. Nga 251 pengjet e rrëmbyer më 7 tetor, Izraeli thotë se 47 ende mbahen në Gazë, prej të cilëve rreth 25 besohet të jenë të vdekur.


Bilanci tragjik

Sulmi i 7 tetorit nga Hamasi shkaktoi 1.200 viktima në Izrael dhe ndezi luftën aktuale. Që prej asaj kohe, ofensiva izraelite ka shkaktuar mbi 64.000 viktima palestineze, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë – shifra që Kombet e Bashkuara i konsiderojnë të besueshme.