Edhe pse kanë kaluar dekada, figura e Pablo Escobar vazhdon të mbetet e pranishme në kujtesën e familjarëve të tij dhe të shumë njerëzve në Kolumbi. Ditën e sotme, 1 dhjetor, ai do të kishte festuar 76-vjetorin e lindjes, ndërsa nesër shënohen 32 vjet nga vrasja e tij gjatë një operacioni të forcave ushtarake më 2 dhjetor 1993.
Me këtë rast, motra e Escobarit është parë duke blerë dhe vendosur kurora e buqeta me lule, me dedikime të veçanta për vëllanë e saj. Ajo vizitoi varrin e tij në Medellín, aty ku Escobar u vra pas një shkëmbimi zjarri me policinë dhe ushtrinë, në përfundim të një ndjekjeje intensive që kishte zgjasur muaj të tërë.
Pablo Escobar, kreu i Kartelit të famshëm të Medellín, është akuzuar për trafikun e mijëra tonëve kokainë drejt Shteteve të Bashkuara, duke ndërtuar një prej perandorive më të mëdha të krimit të organizuar në botë. Autoritetet amerikane e shpallën në kërkim ndërkombëtar, duke kërkuar arrestimin dhe ekstradimin e tij, deri në eliminimin gjatë operacionit të vitit 1993.

Ai mbahet përgjegjës për mijëra vrasje, atentate dhe akte terrori – jo vetëm ndaj rivalëve të tij në trafikun e drogës, por edhe ndaj politikanëve, gjyqtarëve, prokurorëve, policëve dhe ushtarakëve të cilët i konsideronte armiq të organizatës së tij.
Escobar vlerësohet si një nga bosët më të fuqishëm të narkotrafikut në historinë e krimit ndërkombëtar. Pasuria e tij, që në vitet 1990 vlerësohej me miliarda dollarë, mendohet të jetë fshehur në mënyrë të organizuar në pyje, toka bujqësore, shpella dhe zona që ai i njihte mirë, shpesh duke eliminuar personat që ndihmonin në groposje për të fshehur gjurmët.
Sipas legjendave dhe disa dëshmive të mëvonshme, një pjesë e këtyre parave të padeklaruara përdorej edhe për t’i vënë flakën gjatë netëve të ftohta të arratisjes, për të ngrohur veten dhe familjen. Historia e tij vazhdon të ngjallë diskutime, duke mbetur një nga kapitujt më të errët dhe më të dokumentuar të botës së krimit.
