Një djalë që e la nënën e tij në dyshemenë e banjës, mes insekteve, për dy javë, është dënuar me burg pas vdekjes së saj.

75-vjeçarja, Veronica Irwin, ishte në një gjendje kaq të rëndë neglizhence, saqë shërbimet e emergjencës menduan fillimisht se ajo kishte vdekur.

Djali i saj, Stewart Irwin,  telefonoi ambulancën më 28 korrik të vitit 2023, duke thënë se nëna e tij ishte rrëzuar në banjën e përshtatur për persona me aftësi të kufizuara dhe nuk pranoja të ngrihej.

56- vjeçari më pas sqaroi se rrëzimi kishte ndodhur dy javë më parë dhe se nëna e tij kishte qëndruar në dysheme gjatë gjithë kësaj kohe.

Ai tha se ajo ishte “një nga ato plaka kokëforta” dhe se kishte telefonuar më në fund për ndihmë pasi lëkura e saj kishte filluar të bëhej blu. Gjatë telefonatës, Irwin tha gjithashtu:

“Mund ta kisha vrarë vetë”, përpara se të shtonte: “Ah, nuk dua ta them këtë”.

Katër ndihmës mjekësorë mbërritën në banesën në Rydal Street, Carlisle, ku Irwin jetonte së bashku me nënën e tij.

Në Gjykatën e Kurorës së Carlisle të Britanisë, u tha se mjekët mund të nuhatnin erën e një trupi në dekompozim që nga jashtë derës së banesës. Në banjë, ata gjetën gruan e moshuar gjysmë të zhveshur, pa ndjenja dhe të kequshqyer.

Në banesë kishte gjithashtu një infektim me insekte, ndërsa plagët e shkaktuara nga qëndrimi i gjatë në shtrat ishin aq të rënda, saqë kishin depërtuar në të gjithë trashësinë e lëkurës. Veronica ishte në një gjendje hipotermie të rrezikshme dhe u dërgua me urgjencë në spital, por ndërroi jetë më vonë po atë mbrëmje.

Një autopsi e kryer më pas përcaktoi se shkaku i vdekjes ishte hipotermia dhe plagët e presionit të neglizhuara. Kur Shërbimi i Ambulancës së veriperëndimit e pyeti Irwin se përse kishte pritur kaq gjatë për të kërkuar ndihmë, ai tha se Veronica nuk e kishte lejuar të telefononte.

Ai u tha policëve: “I thashë: ‘Do ambulancë?’ dhe ajo tha: ‘Jo, jo, jo’.” Gjykatësi Bright tha se Irwin kishte “marrë një vendim të vetëdijshëm” për ta lënë nënën e tij në atë gjendje dhe se “duhet ta kishte kuptuar se ajo po i afrohej vdekjes”.

Në gjykatë u tha se Irwin pretendonte se ishte kujdestari i Veronicës për të paktën 35 orë në javë dhe se kishte lënë punën për t’u kujdesur për të. Gjatë dy javëve që ajo qëndroi e shtrirë në dysheme, Irwin vazhdoi jetën e tij të përditshme.

Gjatë kësaj periudhe, ai bëri nëntë udhëtime për të blerë cider dhe tërhoqi para nga llogaria bankare e nënës së tij. Irwin u mor në pyetje nga policia dy herë pas vdekjes së nënës, por në të dyja rastet refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve, duke dhënë përgjigje “pa koment”. Pas përfundimit të gjyqit, ai u shpall fajtor për vrasje nga pakujdesia dhe sot u dënua me gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim.